Botë
Tajvani i kërcënuar nga Kina, forcon mbrojtjen: Trump pretendon se ka parandaluar luftën me Kinën
10.10.2026 16:19
Në Ditën Kombëtare të Tajvanit, presidenti Lai Ching-te u bëri thirrje demokracive...

Në Ditën Kombëtare të Tajvanit, presidenti Lai Ching-te u bëri thirrje demokracive të Indo-Paqësorit të bashkohen për ruajtjen e paqes në rajon, duke paralajmëruar se Kina po vazhdon presionin ushtarak ndaj ishullit.
Lai mirëpriti dialogun mes Uashingtonit dhe Pekinit, por theksoi se duhet të respektohet e drejta e Tajvanit për të vendosur vetë për të ardhmen e tij. Deklaratat vijnë në një kohë tensionesh të shtuara mes Kinës dhe SHBA-së për çështjen e ishullit.
“Qëllimi ynë, duke rritur investimet në mbrojtjen kombëtare, nuk është të provokojmë, por të parandalojmë luftën. Ne po forcojmë vetëmbrojtjen jo për të braktisur dialogun, por për të siguruar që dialogu të zhvillohet mbi bazën e barazisë dhe dinjitetit”, deklaroi presidenti i Tajvanit, Lai Ching-Te.
Ndërkohë, presidenti amerikan Donald Trump pretendon se përpjekjet e tij kanë ndihmuar në parandalimin e një konflikti të armatosur mes Kinës dhe Tajvanit. Ai e konsideron shmangien e një lufte të tillë si një nga arritjet e politikës së tij, në një kohë kur tensionet në rajon mbeten të larta dhe Uashingtoni vazhdon të luajë rol kyç në sigurinë e ishullit.
“Po parandaloj vazhdimisht një luftë mes Koresë së Jugut dhe Koresë së Veriut, si dhe mes Kinës dhe Tajvanit”, u shpreh presidenti i SHBA-së, Donald Trump.
Tensionet mes Tajvanit dhe Kinës mbeten të larta për shkak të pretendimeve territoriale të Pekinit dhe aktivitetit të shtuar ushtarak kinez në zonën përreth ishullit. Kina kundërshton pavarësinë e Tajvanit dhe nuk e ka përjashtuar përdorimin e forcës për të vendosur kontrollin mbi të.
Ndërkohë, autoritetet në Taipei këmbëngulin se forcimi i mbrojtjes është i nevojshëm për të ruajtur sigurinë dhe për të garantuar që çdo zgjidhje të arrihet përmes dialogut, pa imponim ushtarak.
FARIJE DAUTI BAKIU
