Botë

SHBA-ja merr naftë ruse, reagon Ukraina, Zelensky: Marrëveshja favorizon Moskën

10.10.2026 16:55

Ndërsa përfaqësues amerikanë dhe ukrainas po zhvillojnë bisedime në Majami...

Ndërsa përfaqësues amerikanë dhe ukrainas po zhvillojnë bisedime në Majami për një përfundim të mundshëm të luftës në Ukrainë, Uashingtoni ka arritur marrëveshje për furnizimin me naftë dizel ruse në tregun amerikan dhe atë botëror.
 
“Kjo është një marrëveshje e madhe. Është një sasi e jashtëzakonshme nafte që po vjen në vendin tonë dhe dua ta falënderoj presidentin Putin. Na duhet naftë për botën”, deklaroi presidenti i SHBA-së, Donald Trump.
 
 Kremlini e konfirmoi marrëveshjen, por nuk zbuloi nëse Uashingtoni kishte bërë lëshime në këmbim të furnizimeve. Kievi reagoi ashpër. Për presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, marrëveshja është e padrejtë dhe e pandershme, pasi vetëm sa do ta ndihmojë Rusinë të vazhdojë luftën.
 
“Rusia do të ‘përgjigjet’ për naftën dizel me terror dhe poshtërsi shtesë. Ajo që nevojitet është një deeskalim i vërtetë me Rusinë, i bazuar në reciprocitet”, u shpreh presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky.
 
Ndërsa Uashingtoni dhe Moska diskutojnë për furnizimet me naftë, në Kombet e Bashkuara shtohen thirrjet për ndaljen e luftimeve, mes shqetësimeve për rritjen e viktimave civile dhe përshkallëzimin e konfliktit.
 
“Cikli aktual i përshkallëzimit të sulmeve kundër civilëve duhet të marrë fund tani, përpara se numri i viktimave të arrijë nivele të reja shkatërruese. Diplomacia dhe dialogu duhet të mbizotërojnë dhe t’u jepet një mundësi reale për sukses. Angazhimet e fundit diplomatike duhet të intensifikohen dhe të sjellin rezultate konkrete drejt paqes”, theksoi ndihmës sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Khaled Khiari. 
 
Ndërkohë Rusia i hedh poshtë këto akuza, duke i konsideruar të pavërteta.
 
“Ne i hedhim poshtë kategorikisht akuzat e pabazuara se forcat e armatosura ruse sulmojnë qëllimisht civilët ukrainas. Objektivat tona kanë qenë dhe mbeten ekskluzivisht instalimet ushtarake dhe infrastruktura e përfshirë në mbështetjen e operacioneve ushtarake, pavarësisht përpjekjeve të Kievit dhe vendeve evropiane për të pretenduar të kundërtën”, u shpreh ambasadori i Rusisë në OKB, Vasily Nebenzya.
 
Sulmet vazhduan edhe gjatë 24 orëve të fundit, me goditje nga të dyja palët.
 
FARIJE DAUTI BAKIU