Maqedoni

Kalaja e Shkupit, drejt hapjes së dy muzeve: Mbi 5.000 artefakte pritet të ekspozohen në vitin 2027

10.10.2026 17:31

Dy objektet muzeale në Kalanë e Shkupit kanë përfunduar punimet...

Dy objektet muzeale në Kalanë e Shkupit kanë përfunduar punimet e sanimit dhe përshtatjes, pas një periudhe disavjeçare në të cilën kishin mbetur pa ndërhyrje. Hapja e tyre parashihet për vitin 2027, ndërsa në hapësirat e reja muzeale pritet të prezantohen mbi 5.000 artefakte arkeologjike të zbuluara gjatë hulumtimeve në këtë lokalitet.
 
Muzeu Arkeologjik Kombëtar tashmë ka marrë artefaktet dhe po punon në hartimin e konceptit dhe përcaktimin e përmbajtjes që do të ekspozohet në Muzeun e Parahistorisë dhe Muzeun e Trashëgimisë Osmane. Paralelisht, në fazën përfundimtare është procedura qeveritare për shpalljen e Kalasë së Shkupit si trashëgimi kulturore me rëndësi të veçantë.
 
“Për më pak se një vit, objektet tashmë janë përfunduar. Mund të konstatoj se pjesa më e madhe e punimeve ishte në pjesën e përshtatjes dhe sanimit, domethënë në pjesën e të gjitha katër fazave, flas për instalimet mekanike, arkitekturën, elektrikën dhe punimet metalike/bravarinë, pasi, siç e dini të gjithë, nga viti 2017 deri në vitin 2024 këto dy objekte për fat të keq u lanë nën mëshirën e kohës. Për momentin, në Qeverinë e Republikës së Maqedonisë në fazën përfundimtare është marrja e vendimit për shpalljen e Kalasë së Shkupit si trashëgimi kulturore me rëndësi të veçantë, nën kategorinë me rëndësi të madhe”, deklaroi Vesela Çeshpeva nga drejtoria për mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore.
 
“Me vendim të Qeverisë, Muzeut Arkeologjik Kombëtar i janë dorëzuar artefaktet e zbuluara gjatë hulumtimeve arkeologjike në Kalanë e Shkupit. Aktualisht, muzeu po punon në hartimin e konceptit dhe përcaktimin e përmbajtjes që do të prezantohet në Muzeun e Parahistorisë dhe në Muzeun e Trashëgimisë Osmane”, u shpreh drejtoresha e muzeut arkeologjik Magdalena Manaskova.
 
Hapja e muzeve dhe prezantimi i koleksioneve do të përcaktojnë fazën e ardhshme të këtij projekti. Projekti synon që këto hapësira muzeale të përfshihen në ofertën kulturore të Shkupit në kuadër të programit „Kryeqyteti Evropian i Kulturës 2028“.
 
FARIJE DAUTI BAKIU