Maqedoni
Çmimi shtetëror “11 Tetori” për vitin 2026: Gjylimser Kasapi ndër laureatët e çmimit
11.10.2026 14:25
Në Kuvend sot u nda çmimi shtetëror “11 Tetori” për vitin 2026...

Në Kuvend sot u nda çmimi shtetëror “11 Tetori” për vitin 2026, si mirënjohja më e lartë për arritjet jetësore në shkencë, art, kulturë dhe fusha të tjera me interes publik në Maqedoninë e Veriut.
Çmimi për arritje jetësore në kulturë dhe art iu nda profesorit dhe shkrimtarit Venko Andonovski, ndërsa për kontributin në shkencë dhe arsim u vlerësuan profesorët Dimitar Pandev, Gjylimser Kasapi dhe Vlado Popovski, ky i fundit për veprimtarinë në fushën e së drejtës.
Kryetari i Këshillit, Svetozar Antoviq, theksoi se të gjithë laureatët, përmes veprës dhe angazhimit të tyre shumëvjeçar, kanë dhënë kontribut të rëndësishëm në zhvillimin e shkencës, kulturës dhe arsimit, duke dëshmuar se dija dhe krijimtaria janë vlera që e bëjnë shoqërinë më të mirë.
“Profesoresha Gjylimser Kasapi, me punën e saj shkencore dhe arsimore, afirmon rolin e gruas në akademi dhe forcon dimensionin multikulturor të shoqërisë maqedonase. Ajo është simbol i integrimit, tolerancës dhe përsosmërisë akademike. Me veprimtarinë e saj pedagogjike dhe shkencore, Kasapi e përfaqëson Maqedoninë si vend që vlerëson dallimet dhe ndërton të ardhmen mbi bazën e sintezës kulturore. Kontributi i saj është veçanërisht i rëndësishëm në një kohë kur multikulturalizmi është kyç për stabilitetin dhe perspektivën evropiane të shtetit. Të nderuar laureatë, me veprat tuaja dëshmoni se shpirti maqedonas është i gjallë, i qëndrueshëm dhe i aftë të krijojë vlera të larta qytetëruese. Rrugët tuaja jetësore dhe krijuese janë të ndryshme, por ju bashkon besimi se dija, kultura dhe arsimi mund ta bëjnë shoqërinë më të mirë”, deklaroi kryetari i këshillit për çmimin shtetëror „11 Tetori“,Svetozar Antoviq.
Fituesi i çmimit, Venko Andonovski, në emër të laureatëve tha se çdo sukses është rezultat i përpjekjeve për të arritur majat e synuara, duke kujtuar sakrificën e gjeneratave të mëparshme për liri, të drejta dhe një jetë më të mirë.
“Secili prej nesh projekton majën që dëshiron të arrijë në jetë. Por, kjo nuk do të ishte e mundur pa ekzistuar një nevojë, një mungesë që na shtyn përpara. Për gjeneratat që synonin majat e asaj që atëherë quhej Republika Popullore e Maqedonisë, e më pas Maqedonia Socialiste, mungesa ishte ajo e bukës dhe e të drejtave. Edhe ata kishin nevojën që t’i drejtonte drejt majës së tyre. Prandaj, e vlerësoj lart dhe jam mirënjohës për gjakun e derdhur që të arrihej ajo majë”, u shpreh fituesi i çmimit “11 Tetori”, Venko Andonovski.
Çmimi shtetëror “11 Tetori” tradicionalisht ndahet me rastin e festës së 11 Tetorit, në shenjë mirënjohjeje për kontributin e jashtëzakonshëm dhe arritjet jetësore të individëve në fusha të ndryshme me interes publik.
REXHEP QAMILI
