Botë
Krizë në raportet ShBA–Ukrainë, Tramp kërkon zgjedhje të reja për largimin e Zelenskit
11.10.2026 15:19
Marrëdhëniet mes Uashingtonit dhe Kievit janë tensionuar edhe më tej...

Marrëdhëniet mes Uashingtonit dhe Kievit janë tensionuar edhe më tej, pasi presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se “ka ardhur koha që Ukraina të ketë një president të ri”.
Ky qëndrim vjen në një kohë kur po thellohen mospajtimet me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, pas vendimit amerikan lidhur me furnizimin me naftë dizel ruse.
Trump kritikoi sulmet ukrainase ndaj rafinerive ruse, duke vlerësuar se ato kontribuojnë në uljen e furnizimit me karburante në treg.
“Mendoj se duhet të mbani zgjedhje. Ai mund ta kishte zgjidhur këtë çështje shumë herë dhe duhet të mbajë zgjedhje. Ai nuk mund ta rrisë çmimin e naftës. Ka bërë mjaftueshëm. Lufta mes Ukrainës dhe Rusisë nuk duhej të kishte ndodhur kurrë. Po të isha unë president, kjo nuk do të kishte ndodhur. Por presidenti Zelenskyy mund ta kishte zgjidhur këtë luftë. Ai mund të kishte arritur një marrëveshje shumë herë. Kam qenë i përfshirë në këtë çështje shumë herë", deklaroi presidenti i ShBA-së Donald Trump.
Kremlini e mirëpriti thirrjen e Shteteve të Bashkuara, ndërsa Kievi nga ana tjetër u përgjigj se për zgjedhjen e presidentit vendosin ekskluzivisht qytetarët ukrainas.
“Në botë janë dy liderë që kërkojnë që Ukraina të ketë një president të ri: i pari është presidenti Trump, ndërsa i dyti është diktatori Putin”, u shpreh deputetja e opozitës në Ukrainë, Kira Rudik.
Presidenti Volodymyr Zelenskyy paralajmëroi se lehtësimi i presionit ndaj Moskës e nxit Rusinë të vazhdojë luftën. Sulmet ajrore mes Rusisë dhe Ukrainës vijojnë, 13 rajone ukrainase u vunë nën sulm gjatë 24 orëve të fundit, me dëme në banesa, infrastrukturë dhe objekte hekurudhore.
Pas sulmit vdekjeprurës rus, në Zaporizhzhia është shpallur ditë zie.Ndërkohë, banorët e Dnipros përshkruajnë shkatërrimet dhe pasojat e sulmeve mbi familjet e tyre.
“Ajo ishte e shtrirë pikërisht aty, atje. Goditja hyri këtu dhe e hodhi deri atje. Kur mbërrita, bashkëshortja ime ishte dërguar tashmë në spital. Tani po pastrojmë gjithçka dhe po kërkojmë dokumentet, çdo gjë që ka mbijetuar”, theksoi banori i Dnipros.
“Fëmijët po përgatiteshin të shkonin për të fjetur te një shoqe. Ekipet e shpëtimit u detyruan ta thyenin derën për t’i nxjerrë, ndërsa ishin ende me pizhame. Me sa duket, diku kishte rënë zjarr, nuk e di saktësisht, por fëmijët kishin thithur tym. Më e vogla kishte prerje në trup”, deklaroi e plaguara nga Dnipro.
Ndërkohë edhe Ukraina ka sulmuar me dron në rajonin e Brjanskutnë Rusi duke shkaktuar viktima dhe të plagosur , ndërsa kompania teknologjike „Yandex” ndërpreu punën pas dëmeve teknike.
Kompanitë evropiane të sektorit të mbrojtjes kanë shtuar masat e sigurisë personale, pasi shërbimet e inteligjencës perëndimore kanë paralajmëruar se Rusia intensifikon përpjekjet për sulme ndaj drejtuesve të lartë të kompanive prodhuese të armëve.
Sipas zyrtarëve evropianë të sigurisë, ngecja në frontin ukrainas dhe problemet me të cilat po përballet ekonomia ruse kanë kontribuar që Kremlini të zgjerojë operacionet e sabotimit dhe të ashtuquajturat operacione hibride në të gjithë Evropën.
FARIJE DAUTI BAKIU
