Botë

Sulm i përgjakshëm në Riad, Huthët kërcënojnë aeroportet Saudite

11.10.2026 15:37

Përplasjet mes rebelëve jemenas Huthi dhe Arabisë Saudite po përshkallëzohen...

Aeroporti Ndërkombëtar i Riadit u bë për herë të tretë brenda një jave objektiv i sulmit, me bilanc të rëndë viktimash dhe të plagosurish.
 
“Nga sulmi humbën jetën 12 persona, ndërsa 309 të tjerë u plagosën. Mes viktimave janë katër shtetas sauditë, dy shtetas të Bangladeshit dhe nga një shtetas i SHBA-së, Egjiptit, Jordanisë, Sirisë, Palestinës dhe Sudanit. Të plagosurit po marrin trajtim mjekësor në disa spitale”, deklaroi prezantuesi i televizionit Saudit.
 
Pas sulmit, rebelët Huthi paralajmëruan kompanitë ajrore dhe udhëtarët që të shmangin aeroportet dhe hapësirën ajrore saudite.
 
“E përsërisim paralajmërimin që të mos përdoren aeroportet dhe hapësira ajrore saudite, pasi ato përbëjnë objektiva të mundshëm të forcave tona”, deklaroi zëdhënësi i Huthëve, Jahja Sari.
 
Sulmi shton presionin ndaj Riadit për t'u kundërpërgjigjur, ndërsa aleatët e tij përballen me thirrje për të siguruar mbështetje ushtarake. Presidenti amerikan Donald Trump nuk e përjashtoi mundësinë që SHBA-ja t'u bashkohet sulmeve kundër Huthëve.
 
“Ndoshta do ta bëjmë këtë. Do ta shqyrtojmë situatën. Sapo morëm vesh për këtë sulm të fundit, ndaj do të marrim një vendim”, theksoi presidenti i ShBA-së, Donald Trump.
 
Pakistani, Egjipti dhe Katari dënuan sulmin, të cilin e cilësuan të papranueshëm.
 
“Pakistani dënon agresionin e Huthëve kundër Arabisë Saudite dhe shpreh solidaritet të plotë me mbretërinë. Mbështetja jonë bazohet në marrëveshjet e mbrojtjes dhe në lidhjet vëllazërore mes dy vendeve”, deklaroi kryeministri i Pakistanit, Muhamed Shehbaz Sharif.
 
Reagime pati edhe nga Evropa, me paralajmërime për një përshkallëzim të rrezikshëm të situatës.
 
“Këto sulme nga aleatët e Iranit po e shtyjnë rajonin drejt një spiraleje dhune. Këto sulme vdekjeprurëse ndaj civilëve duhet të ndalen menjëherë”, u shpreh presidentja e komisionit evropian Ursula Von Der Leyen.
 
“Sulmet ndaj civilëve dhe infrastrukturës civile përbëjnë shkelje të së drejtës ndërkombëtare”, theksoi sekretari i përgjithshëm i OKB-së, António Guterres.
 
Britania e Madhe njoftoi se është duke shqyrtuar mundësinë e zgjerimit të mbështetjes për Riadin, por për momentin nuk planifikon pjesëmarrje në operacione sulmuese.
 
Ndërkohë, ushtria amerikane njoftoi se kishte nxjerrë jashtë funksionit një anije mallrash në Gjirin e Omanit, për të cilën pretendon se ishte përpjekur të thyente bllokadën drejt Iranit.
 
Përshkallëzimi i konfliktit po shton shqetësimet për ndërprerjen e furnizimit global dhe rritjen e çmimeve të energjisë.
 
FARIJE DAUTI BAKIU