Maqedoni

Dhuna ndaj të rinjve në Saraj, MPB do të suspendojë 6 policë për përdorim të forcës

11.10.2026 16:15

Departamenti për Kontroll të Brendshëm, Hetime Kriminalistike dhe Standarde Profesionale...

Departamenti për Kontroll të Brendshëm, Hetime Kriminalistike dhe Standarde Profesionale pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme po ndërmerr masa dhe aktivitete lidhur me ngjarjen e ndodhur më 7 tetor 2026, për përdorimin e tepruar të forcës fizike dhe shkaktimin e lëndimeve trupore ndaj personave nga ana e zyrtarëve policorë gjatë ushtrimit të autorizimeve policore.
 
“Nga kontrollet e kryera, incizimet e siguruara nga ngjarja dhe deklaratat e personave që kanë qenë dëshmitarë të saj, janë konstatuar një sërë parregullsish në veprimet e zyrtarëve policorë.Për këto parregullsi, Departamenti për Kontroll të Brendshëm, Hetime Kriminalistike dhe Standarde Profesionale pranë MPB-së do të iniciojë procedurë për shkelje të rendit dhe disiplinës së punës ndaj gjashtë zyrtarëve policorë, të cilëve do t’u shqiptohet edhe masa e largimit nga vendi i punës – suspendimi”, deklaroi zëdhënësi i MPB - së, Goce Andreevski.
 
Nga MPB gjithashtu njoftojnë se sa u përket kallëzimeve për ngjarjet me elemente penale, të paraqitura në Departamentin për Kontroll të Brendshëm, Hetime Kriminalistike dhe Standarde Profesionale dhe në Sektorin për Punë të Brendshme në Shkup, prokuroritë kompetente kanë lëshuar urdhra për ekspertiza, të cilat janë në proces të realizimit.
 
Pas dokumentimit të plotë të të gjitha provave, do të dorëzohen parashtresat përkatëse.Këto zhvillime vijnë pas reagimeve institucionale dhe politike lidhur me rastin.
 
Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Astrit Iseni, ka përcjellë mesayhin se “as uniforma, as funksioni dhe as përkatësia nuk e përjashtojnë askënd nga zbatimi i ligjit”.
 
Edhe VLEN-i kishte kërkuar hetim të paanshëm dhe transparent, ndërsa Bashkimi Demokratik për Integrim, krahas përgjegjësisë eventuale individuale të policëve, kishte kërkuar edhe përgjegjësi institucionale.
 
Sipas pretendimeve të dy të rinjve, policët kishin përdorur forcë të tepruar edhe pasi ata ishin vënë nën kontroll dhe i kishin duart e lidhura. Rrethanat e ndërhyrjes, pretendimet për dhunë dhe përgjegjësia eventuale e zyrtarëve të përfshirë pritet të sqarohen përmes hetimeve.
 
FARIJE DAUTI BAKIU