Muaji rozë, muaj i ndërgjegjësimit për kancerin, mjekët apelojnë për kontrolle të rregullta
Rreth 1.000 raste të reja të kancerit të gjirit...

Rreth 1.000 raste të reja të kancerit të gjirit regjistrohen çdo vit në vend. Mjekja radiologe Miranda Ramani Izairi për TVM2 thekson që është me rëndësi të madhe vetëkontrolli dhe zbulimi i hershëm për diagnostikim në kohë.
Sipas saj, fushata e Tetorit Rozë ka të bëjë me ndërgjegjësimin për rrezikun me të cilin përballen miliona gra. Kanceri në gji është një diagnozë që kërkon trajtim me muaj apo vite. Me vete mbart edhe pasoja ekonomike, ndërsa rikthimi në jetën e përditshme pas përfundimit të trajtimit është sfidë më vete.
“Unë si radiologe do të kisha apeluar për diagnostikim të hershëm, i cili shpëton jetë dhe do të kisha apeluar te të gjitha pacientet fillimisht të bëjnë vetëkontroll të gjëndrës së gjirit, pastaj të udhëzohen në mjekë radiologë për diagnostikim të hershëm… Për fat të keq vitin e kaluar kishim pacientë në faza të avancuara të sëmundjes, të cilët nuk japin pastaj shërim dhe jetë cilësore për pacientët. Ne si mjekë radiologë dëshirojmë pacientë në faza të hershme, për atë arsye kemi edhe shumë organizime për ndërgjegjësimin ndaj luftës së kancerit të gjirit.”, - deklaroi radiologia, Miranda Ramani Izairi.
Kanceri i gjirit shërohet, jep shpresë për pacientet, tha mjekja Miranda Ramani Izairi.
“Jo çdo kancer i gjirit është me vdekje, për fat të mirë. Kanceri i gjirit shërohet. Shërohet në faza të hershme, për atë është gjithë kjo luftë, për ndërgjegjësimin e luftës kundër kancerit të gjirit. Kemi shumë aktivitete që i ndërgjegjësojnë gratë, jo vetëm gratë, se ka edhe burra që janë të prekur nga kanceri i gjirit, mirëpo kemi ende shumë punë dhe rrugë për të bërë.”, - theksoi radiologia, Miranda Ramani Izairi.
Sipas statistikave, në nivel global gjatë vitit 2024 pothuajse 2.5 milionë persona u diagnostikuan me kancer të gjirit dhe rreth 700.000 humbën jetën.
Në vendet e rajonit, si në Kosovë, gjatë vitit 2025 janë regjistruar 330 raste me kancer të gjirit, ndërsa në Shqipëri janë regjistruar 829 raste. (Vlora Latifi Topojani, TVM2)
