Dhjetë vjet nga themelimi i Drejtorisë për Mbrojtjen e të Dhënave Personale

22.06.2015 10:12

Konferencë për qasje edukative ndaj sfidave nga mbrojtja e privatësisë do të mbahet sot në Shkup me rastin e 10-të vjetorit nga themelimi i Drejtorisë për Mbrojtjen e të Dhënave Personale...

Përfaqësuesit e Google, Facebook, Këshilli i Evropës dhe organet për mbrojtjen e të dhënave personale nga Austria, Polonia, Bullgaria, Serbia, Shqipëria, Mali i Zi, BeH-ja, Franca dhe Hungaria, si dhe të disa organizatave qytetare nga vendi do të bisedojnë për sfidat që i imponojnë  teknologjitë e reja dhe mbrojtja e të dhënave personale.

Konferenca ka tre panele: Shfrytëzimi i sigurtë dhe i ndërgjegjshëm i internetit/rrjeteve sociale, Mundësi të reja për përforcim të bashkëpunimit rajonal  mes organeve për mbrojtje të të dhënave personale  nga Ballkani Perëndimor dhe më gjërë dhe për Aktivitetet për ngritje të vetëdijes  për shfrytëzim të sigurtë të internetit, fushata dhe iniciativa për luftë kundër urrejtjes. Mbahet me përkrahje të Misionit të OSBE-së në Shkup.

Në Drejtori në 10-të vitet e fundit janë drejtuar mbi 5.000 qytetarë me parashtresat e tyre. Prej atje informojnë se më shumë rritet numri i atyre të cilët kërkojnë  ndihmë gjatë keqpërdorimit të të dhënave personale, por gjithashtu ka qytetarë të cilët duan të konsultohen  për atë se çka është keqpërdorimi i të dhënave personale, ndërsa çka jo, veçanërisht marrja e kopjes së letërnjoftimit.

Ligji për mbrojtje të të dhënave personale është sjellur në vitin 2005, me çka për herë të parë në Republikën e Maqedonisë edhe juridikisht është  rregulluar kjo materie.

Në Kushtetutën e RM-së neni 18 e garanton të drejtën e mbrojtjes të të dhënave personale, por Ligji më konkretisht i definon obligimet që i kanë kontrolluesit, përkatësisht firmat, kompanitë, institucionet, sektori privat dhe juridik, i cili kryen përpunim të të dhënave personale. Njëherit i definon edhe të drejtat e qytetarit si person fizik të dhënat e të cilit përpunohen.