Ekonomi, Qeveria flet për rritje, opozita për varfëri
Përderisa kryeministri Hristijan Mickoski...

Përderisa kryeministri Hristijan Mickoski thekson rritjen ekonomike dhe stabilizimin e inflacionit, partia opozitare LSDM kërkon që rezultatet të përkthehen në paga më të larta dhe përmirësim konkret të standardit të jetesës.
Sipas Mickoskit, rritja e Prodhimit të Brendshëm Bruto në tremujorin e dytë të vitit 2026 ka arritur në 4.3 për qind, ndërsa inflacioni mesatar në tremujorin e tretë është 2.5 për qind.
Sipas tij, këta tregues e rendisin vendin ndër pesë ekonomitë me rritjen më të lartë në Evropë. Ai theksoi gjithashtu se vendi ka ruajtur vlerësimin kreditor nga agjencitë ndërkombëtare.
“Në tremujorin e dytë të këtij viti, në vitin 2026, rritja e prodhimit të brendshëm bruto ishte 4.3%, dhe është në mesin e pesë të parave në Evropë dhe në mënyrë të bindshme më e larta në mesin e vendeve të rajonit, nëse jo më e madhja. Në të njëjtën kohë është e rëndësishme të theksohet se vërehet një rritje e konsiderueshme e shpenzimeve të jetesës dhe e inflacionit. Situata në ekonomi pasi në tremujorin e tretë inflacioni mesatar në vendin tonë ishte 2.5%, ndërsa në vendet fqinje, në cilin do vend fqinjë si te ai në jug, lindje dhe perëndim do të vëreni inflacion, me një mesatare më të lartë se 5%.”, - deklaroi kryeministri, Hristijan Mickoski.
Vlerësimet e Qeverisë, LSDM-ja i cilëson si përralla, duke theksuar se qytetarët mezi arrijnë të përballojnë shpenzimet mujore. Nga kjo parti akuzojnë Mickoskin se premton paga prej 1.000 eurosh, ndërsa në Kuvend nuk e mbështet propozimin për pagë minimale prej 600 eurosh.
Sipas LSDM-së, çmimet e larta të ushqimeve dhe karburanteve, si dhe pagat që nuk mjaftojnë deri në fund të muajit, dëshmojnë se qytetarët nuk e ndiejnë rritjen ekonomike në jetën e përditshme.
“Ushqimi është shumë i shtrenjtë. Karburantet me çmime deri në tavan. Pagat nuk arrijnë as deri në mesin e muajit. Ribalanci e konfirmoi dështimin e plotë të politikave ekonomike të Mickoskit. Ribalanci është vërtetim për dështimin e tërë në politikat ekonomike të Mickoskit. Ribalanci i dytë brenda vetëm dy muajsh është pranim i dështimit. Nuk ka para për paga, nuk ka për pensione, nuk ka për punëtorët. Borxhi është 900 milionë euro, ndërsa pensionet mungojnë 1 miliard euro. Dështim i plotë. Prandaj po grumbullohen borxhe të reja në kurriz të popullit.”, - theksoi Maja Serafimovska Borozan nga LSDM.
Opozita kritikoi edhe menaxhimin e financave publike, duke pretenduar se deficiti buxhetor dhe mungesa e mjeteve për pensionet po e detyrojnë Qeverinë të marrë borxhe të reja. LSDM-ja e cilësoi rishikimin e buxhetit si dëshmi të dështimit të politikave ekonomike të Qeverisë. (Florije Kamberi, TVM2)
