Ndryshimet në Ligjin për Specialen, Kos: Të papranueshme për BE-në

12.10.2026 17:15

Komisionerja evropiane për Zgjerim, Marta Kos...

Komisionerja Evropiane për Zgjerim, Marta Kos, ka deklaruar se ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara janë në kundërshtim me detyrimet e Kosovës ndaj Bashkimit Evropian. Ajo paralajmëroi se ndryshimi i rregullave gjatë zhvillimit të procedurave gjyqësore bie ndesh me standardet ndërkombëtare të sundimit të ligjit.

“Ndryshimi i Ligjit për Dhomat e Specializuara shkon kundër detyrimeve themelore të Kosovës ndaj BE-së. Dhe kjo është e papranueshme. Ndryshimi i rregullave ndërkohë që procedura gjyqësore është në vazhdim sfidon çdo standard ndërkombëtar të sundimit të ligjit.”, - deklaroi komisionerja evropiane për Zgjerim, Marta Kos.

Prishtina zyrtare pro dialogut me partnerët

Ndërkohë, në Prishtinë, përfaqësuesit e pozitës dhe opozitës kanë theksuar nevojën për koordinim institucional dhe dialog me partnerët ndërkombëtarë. Shefja e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Arbërie Nagavci, tha se përgatitjet për fazën e Apelit duhet të bëhen përmes një strategjie shtetërore dhe bashkëpunimit ndërinstitucional.

"Ne u kemi dhënë mbështetje deputetëve të cilët kanë besuar që kjo është rruga e duhur, kështu që edhe në këtë pikë na nevojitet koordinim e bashkëpunim për ta adresuar qëllimin e përbashkët që e kemi të japim maksimumin për ta adresuar bindjen tonë se lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka qenë luftë e drejtë e pastër, çlirimtare, dhe se gjenocid agresion ka kryer Serbia.", - theksoi shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Arbërie Nagavci.

Edhe nënkryetarja e Kuvendit nga PDK-ja, Vlora Çitaku, vlerësoi se Kosova duhet të diskutojë me partnerët evropianë për qëllimin e ndryshimeve ligjore.

Ajo tha se vendi po përballet me dy procese të rëndësishme, atë të Apelit në Hagë dhe anëtarësimin në Këshillin e Evropës.

"Është normale që ndonjëherë me miqtë të kemi mospajtime, por besoj që do të kemi kohë të bisedojmë edhe me përfaqësuesit e BE-së dhe t’ua sqarojmë vullnetin politik të deputetëve të zgjedhur të Kuvendit. Kosova me ligj dhe me vullnet kërkon drejtësi. Nuk po kërkojmë t’i ikim drejtësisë, por po synojmë që procesin e deformuar dhe devijuar, ta kthejmë në binarë të drejtë. Kosova është partner, partnerët diskutojnë, debatojnë, por jam e bindur që në fund do të ketë pajtueshmëri.”, - u shpreh nënkryetarja e Kuvendit nga PDK-ja, Vlora Çitaku.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës miratuan më 6 tetor ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara, në të njëjtën seancë në të cilën u zgjodh edhe presidentja e re e vendit. (Belinda Koka Ademi, TVM2)