Zgjedhjet e parakohshme në Bërvenicë
Kandidatët për kryetar të Komunës së Bërvenicës...

Kandidatët për kryetar të Komunës së Bërvenicës kanë vazhduar fushatën për zgjedhjet e parakohshme lokale, duke shpalosur para banorëve vizionin e tyre për drejtimin dhe zhvillimin e komunës.
“Gjendem në fshatin e fundit të Bërvenicës, është Gurgurnica. Shumica nuk e dinë se ky fshat del në liqenin Kozjak. Shumica në Bërvenicë nuk e dinë se Komuna e Bërvenicës është vendi i cili gjendet në anën e djathtë të liqenit, një vend i bukur për t’u parë. Platforma ime bazohet në zhvillimin e Bërvenicës, menaxhimin me komunën siç duhet, investime, ndërmarrje, administrata komunale, ndërmarrje të higjienës komunale, ekologji, e kështu me radhë.”, - deklaroi kandidati i pavarur, Dushan Bogdanovski.
“Miletina ka sportdashës, ka futbollistë dhe ka një histori të veten në sport. Stadiumi i KF “Rrufeja” ka nevojë për ndërhyrje serioze dhe rikonstruksion të plotë. Me ndihmën e Ministrisë së Sportit do të punojmë që ky stadium të marrë pamjen dhe kushtet që meritojnë tifozët dhe sportistët e fshatit Miletinë. Vëmendje kërkon edhe infrastruktura që lehtëson jetën e banorëve. Ashtu si në Radiovcë edhe në Miletinë ka nevojë urgjente për zgjerimin e urës dhe me këtë do të mundësojmë lehtësimin e qarkullimit të njerëzve dhe automjeteve. Miletina kërkon investime që shihen dhe u shërbejnë qytetarëve për çdo ditë.”, - theksoi kandidati i VLEN-it, Jakup Huseini.
“Unë jam i lumtur që e kam koalicionin Aleanca Kombëtare për Integrim pas vetes. Jam i lumtur që kam mbështetjen e kryetarit Ali Ahmeti. Dhe, jam shumë i motivuar dhe kam vullnet bashkë me shokët që ne bashkërisht të gjithë më 18 tetor ta vulosim fitoren në Komunën e Bërvenicës. Ne do t’ia dalim bashkë, faleminderit për mbështetjen dhe na priftë e mbara.”, - u shpreh kandidati i AKI-së, Arkin Jahiji.
“Do të vendosim platformë digjitale nëpërmjet së cilës qytetarët do të mund të aplikojnë nga shtëpia e tyre për dokumente, certifikata, leje, vërtetime; papritur radhë dhe me mundësinë që online të ndjekin statusin e kërkesës së tyre. Do të hapim zyra rajonale të pushtetit qendror. Administrata do të ketë obligim të qartë që çdo dokument të jepet në afat të caktuar, pasi që komuna është këtu për qytetarin e jo qytetari për administratën. Po e kultivojmë edhe traditën. Do të vazhdojmë me rregullimin e lokalitetit arkeologjik “Gradishte” në Stençe.”, - deklaroi kandidati i VMRO-DPMNE-së, Stojanço Radiçevski.
“Vizioni ynë për Komunën e Bërvenicës nuk janë vetëm fjalë, por projekte konkrete që do të përmirësojnë jetën e përditshme të qytetarëve. Do të rinovojmë sistemin për ujitje me vendosjen e motorëve të rinj dhe pompave. Me një sistem funksional do të përfshihet rreth 80% nga toka pjellore, që është e një rëndësie të madhe për bujqit dhe prodhimin lokal. Në Vollkovijë prioritet do të jetë ndërtimi i sistemit për ujëra të zeza, pasi çdo vend meriton infrastrukturë dhe kushte më të mira për jetesë. Në Çellopek do të nisim me realizimin e shtëpisë së pleqve me të cilët do të sigurojmë kushte më të mira për të moshuarit.”, - theksoi kandidati i LSDM-së, Jovica Radeski.
