Trump trondit Ukrainën: Ukraina ka nevojë për një president të ri!
Presidenti amerikan, Donald Trump...

Presidenti amerikan, Donald Trump, deklaroi se Ukraina duhet të ketë një president të ri, duke pretenduar se Volodymyr Zelensky nuk ka bërë mjaftueshëm për t’i dhënë fund luftës me Rusinë.
Trump-i tha se Ukraina mund të kishte arritur disa marrëveshje, por, sipas tij, Zelensky nuk e ka bërë këtë. Ai gjithashtu e fajësoi presidentin ukrainas për çmimet e larta të naftës dizel në Shtetet e Bashkuara, duke e akuzuar se po krijon probleme për fermerët amerikanë.
Dy ditë më parë, Trump-i arriti marrëveshje me presidentin rus, Vladimir Putin, për blerjen e naftës dizel nga Rusia, në përpjekje për të frenuar rritjen e çmimeve të karburanteve.
“Mendoj se ata duhet të kenë zgjedhje. Ai mund ta kishte zgjidhur këtë në shumë raste. Nuk mjafton vetëm të rrisë çmimin e naftës. Kjo është një luftë që nuk duhet të kishte ndodhur kurrë. Nëse unë do të isha president, lufta Ukrainë-Rusi nuk do të kishte ndodhur kurrë. Sugjeroj që ata të gjejnë një udhëheqës të ri që mund të arrijë një marrëveshje, sepse ai mund të kishte arritur shumë marrëveshje, por për ndonjë arsye nuk e bën kurrë.”, - deklaroi presidenti i ShBA-së, Donald Trump.
Zyrtarë ukrainas dhe evropianë reaguan me shqetësim ndaj marrëveshjes, duke paralajmëruar se ajo do të ndihmojë në financimin e luftës së Rusisë. Zelensky ka reaguar duke thënë se vetëm Rusia është përgjegjëse për luftën në Ukrainë. Ai është zotuar të vazhdojë me sulmet në rafineritë ruse të naftës.
