Rusi-Ukrainë, 3 të vdekur, 25 të plagosur në Harkiv

12.10.2026 19:13

Të paktën tre persona kanë humbur jetën...

Të paktën tre persona kanë humbur jetën, ndërsa 25 të tjerë janë plagosur nga sulmi rus ndaj një zone banimi në Pisoçin, pranë Harkivit. Mes viktimave janë një 16-vjeçar dhe dy gra, të moshës 19 dhe 51 vjeç.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, deklaroi se vetëm gjatë javës së fundit, forcat ruse kanë sulmuar me 1.450 bomba ajrore, 75 raketa dhe më shumë se 1.600 dronë. Përderisa luftimet mes Rusisë dhe Ukrainës vazhdojnë, presidenti amerikan, Donald Trump, deklaroi se Ukraina duhet të ketë një president të ri, duke pretenduar se Volodymyr Zelensky nuk ka bërë mjaftueshëm për t’i dhënë fund luftës me Rusinë.

Dy ditë më parë, Trump-i arriti marrëveshje me presidentin rus, Vladimir Putin, për blerjen e naftës dizel nga Rusia, në përpjekje për të frenuar rritjen e çmimeve të karburanteve.

“Mendoj se ata duhet të kenë zgjedhje. Ai mund ta kishte zgjidhur këtë në shumë raste. Nuk mjafton vetëm të rrisë çmimin e naftës. Kjo është një luftë që nuk duhet të kishte ndodhur kurrë. Nëse unë do të isha president, lufta Ukrainë-Rusi nuk do të kishte ndodhur kurrë.", - deklaroi presidenti i ShBA-së, Donald Trump.

Zyrtarë ukrainas dhe evropianë reaguan me shqetësim ndaj marrëveshjes, duke paralajmëruar se ajo do të ndihmojë në financimin e luftës së Rusisë. Zelensky ka reaguar duke thënë se vetëm Rusia është përgjegjëse për luftën në Ukrainë.

Ai është zotuar të vazhdojë me sulmet në rafineritë ruse të naftës. (Belinda Koka Ademi, TVM2)