Maqedoni
MPB: Po hetohet largimi i Mihajllovës nga RMV
13.10.2026 11:28
Iva Mihajllova, e cila po gjykohet për një aksident të rëndë trafiku me pasoja fatale, është larguar nga Maqedonia drejt Bullgarisë....

Iva Mihajllova, e cila po gjykohet për një aksident të rëndë trafiku me pasoja fatale, është larguar nga Maqedonia drejt Bullgarisë.
MPB-ja po e heton rastin e arratisjes, por thotë se nuk është regjistruar kalimi i saj në kufi.
“Ministria e Punëve të Brendshme kreu kontrolle në sistemin e kontrollit kufitar, me ç’rast u konstatua se për personin Iva Mihajllova, ndaj së cilës është në fuqi një ndalim aktiv gjyqësor, nuk ka evidencë për dalje nga territori i Maqedonisë. Gjithashtu, përmes qendrës së përbashkët të kontaktit me Republikën e Bullgarisë u kryen kontrolle edhe nga policia kufitare bullgare, nga ku morëm informacion se për personin në fjalë nuk ka evidencë për hyrje në territorin e Republikës së Bullgarisë.”, bëri të ditur Goce Andreevski nga MPB.
Nga Prokuroria Publike thonë se Mihajllovës i janë konfiskuar edhe pasaporta maqedonase, edhe ajo bullgare.
“Gjithashtu, i është shqiptuar ndalim për kalimin e kufirit shtetëror me letërnjoftim, ndalim për largim nga Koçani dhe detyrim për t’u paraqitur te një person zyrtar.”, tha Prokuroria Publike.
Reaguan edhe nga Ministria e Punëve të Jashtme, prej ku thonë se arratisja e Mihajllovës dhe pritja e saj në Bullgari në nivel të lartë i dëmtojnë marrëdhëniet mes dy vendeve.
“Nga Republika e Bullgarisë, si anëtare e BE-së, presim veprim në përputhje me parimet themelore evropiane: respektimin e procedurave gjyqësore, bashkëpunimin ndërmjet institucioneve kompetente dhe barazinë para ligjit.”, thonë nga Ministria e Punëve të Jashtme.
Në një deklaratë për mediat bullgare, Mihajllova pretendon se e ka kaluar kufirin me dokumente personale. Ajo është vendosur për trajtim në repartin e neurokirurgjisë në spitalin në Pirogov. Mbetet e paqartë nëse ajo do të kthehet në Maqedoninë e Veriut për të marrë pjesë në seancën gjyqësore të caktuar për 9 nëntor.
