Botë

Von der Leyen dënon sulmet me dronë ndaj anijeve tregtare në Detin e Zi

13.10.2026 12:58

Von der Leyen, ka dënuar sulmet me dronë ndaj dy anijeve tregtare pranë bregdetit të Bullgarisë...

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka dënuar sulmet me dronë ndaj dy anijeve tregtare pranë bregdetit të Bullgarisë, në Detin e Zi, ku njëra prej tyre është fundosur.
 
Përmes një reagimi në platformën X, von der Leyen tha se Deti i Zi është shndërruar në një tjetër front të përshkallëzimit të luftës së Rusisë kundër Ukrainës, duke i cilësuar sulmet si të papranueshme. Ajo kërkoi që përgjegjësit të identifikohen dhe të mbahen para drejtësisë.
 
“Deti i Zi është bërë një tjetër front i përshkallëzimit të luftës ruse në Ukrainë. I dënoj fuqimisht sulmet me dronë ndaj anijeve tregtare pranë bregdetit të Bullgarisë”, shkroi ajo në platformën X.
 
Sipas autoriteteve bullgare, njëra prej anijeve u fundos, ndërsa nga ekuipazhi i saj pesë persona u shpëtuan dhe 11 të tjerë rezultojnë të zhdukur. Anija tjetër, “Chelsea 3”, u godit nga tre dronë, por të 15 anëtarët e ekuipazhit u evakuuan. Pesë prej tyre morën ndihmë mjekësore për lëndime të lehta.
 
Autoritetet bullgare kanë nisur hetimet për të përcaktuar origjinën e dronëve dhe përgjegjësinë për sulmet. Kryeministri Rumen Radev ka kërkuar mbështetjen e NATO-s dhe Bashkimit Evropian për forcimin e sigurisë detare dhe ajrore në rajon.