Afera e re në FIFA – Infantino fshehu miliona?
13.10.2026 13:56
Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, mund të përfshihet në një tjetër aferë të madhe...

Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, mund të përfshihet në një tjetër aferë të madhe, sipas një hetimi të gazetës britanike The Times, raportuar nga ESPN britanik. Sipas raportit zyrtar të FIFA-s, Infantinos iu paguan 4,59 milionë euro si pagë vjetore në vitin 2024. Megjithatë, siç theksojnë mediat britanike, sipas formularit 990 të Administratës Tatimore të SHBA-së, të cilin organizatat jofitimprurëse me seli në SHBA duhet ta plotësojnë çdo vit, ai ka marrë edhe pak më shumë se 1,5 milionë euro, të cilat nuk janë deklaruar askund. Në këtë çështje përfshihet edhe kompania amerikane FWC2026, e krijuar nga FIFA me qëllim organizimin dhe menaxhimin e Kampionatit Botëror të Futbollit 2026.
Shuma prej 1,5 milionë eurosh, e cila ngre pikëpyetje, nuk përmendet në raportin vjetor të FËC2026 për vitin 2024, vit në të cilin formulari 990 i kësaj organizate ishte për herë të fundit i disponueshëm publikisht. Ish-kryetari i Komitetit të Qeverisjes së FIFA-s, Miguel Maduro, është shprehur qartë për këtë situatë, duke theksuar se bëhet fjalë për një shkelje të qartë të statutit të FIFA-s dhe duke kërkuar një hetim të pavarur.
“Statuti i FIFA-s kërkon transparencë të plotë. Nuk është e përshtatshme që nënkomiteti i FIFA-s për shpërblimet të miratojë forma të tjera të të ardhurave. Jam dakord që presidenti i FIFA-s duhet të paguhet shumë mirë, por kjo duhet të jetë transparente”, deklaroi Maduro.
Mbledhja e radhës e Këshillit të FIFA-s është caktuar të enjten në Cyrih.
