Rajon

Kurti nuk i komenton kritikat e BE-së, Presidenca e Kosovës nuk e ka pranuar ende Ligjin për Specialen

13.10.2026 13:59

Kurti, nuk është përgjigjur në pyetjen e gazetarëve lidhur me kritikat e ambasadorëve dhe zyrtarëve të BE-së...

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk është përgjigjur në pyetjen e gazetarëve lidhur me kritikat e ambasadorëve dhe zyrtarëve të Bashkimit Evropian për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara të Kosovës.
 
“Jam duke shkuar në një takim.”, - tha kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
 
Ndërkohë Presidenca bën të ditur se ende nuk e ka pranuar Ligjin për Dhomat e Specializuara, i cili duhet të firmoset nga presidentja para se të hyjë në fuqi. 
 
“Sipas procedurës, Kuvendi e dërgon te presidentja vetëm pas mbylljes së afatit 8-ditor për kontestim në Gjykatën Kushtetuese, deri më 15 tetor. Pastaj presidentja Shiroka Pula i ka në dispozicion 8 ditë për të ndërmarrë veprime.”, kanë njoftuar nga kabineti i presidentes së Kosovës. 
 
Nga ana tjetër, deputetja e PDK-së, Ariana Musliu Shoshi, ka ngritur çështjen e hartimit të një strategjie institucionale për qasjen ndaj çështjes së Hagës, gjatë konstituimit të Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë. Sipas saj, hartimi i një strategjie institucionale për çështjen e Hagës është i domosdoshëm për të siguruar koordinim dhe veprim të mirëfilltë institucional. Zyrtarë të Bashkimit Evropian kanë thënë se ndryshimet ligjore në Ligjin për Specialen bien ndesh me detyrimet ndërkombëtare të Kosovës ndaj BE-së. Edhe Ambasada e Gjermanisë në Prishtinë ka thënë se ndihet “thellësisht e shqetësuar” për ndryshimet që me propozim të PDK-së u miratuan në Kuvendin e Kosovës në Ligjin për Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.
 
GYLTENE SINANI