Formula 1 në Afrikë pas më shumë se 30 vitesh
13.10.2026 14:01
Formula 1 do të rikthehet në kontinentin afrikan pas më shumë se tri dekadash....

Formula 1 do të rikthehet në kontinentin afrikan pas më shumë se tri dekadash. Ruanda ka nënshkruar një marrëveshje dhjetëvjeçare me drejtuesit e kampionatit, ndërsa Çmimi i Madh i Afrikës pritet të përfshihet në kalendar në fillim të viteve 2030, njoftoi Formula 1. Ruanda nuk ka një pistë që përmbush standardet e Formula 1, ndaj do të duhet të ndërtohet një e re. Sipas një raporti të mëparshëm të portalit RacingNeës365, kompleksi do të vendoset rreth 40 kilometra nga Kigali, pranë aeroportit ndërkombëtar Bugesera.
Projekti është hartuar nga kompania WurzDesign, në pronësi të ish-pilotit të Formula 1, Alexander Ëurz. Agjencia franceze e lajmeve AFP raportoi javën e kaluar, duke iu referuar një burimi pranë FIA-s, se projekti mbështetet nga Katari. Ndër pilotët, shtatë herë kampioni i botës Lewis Hamilton ka qenë mbështetësi më i zëshëm i kësaj nisme. Më herët, ai e kishte cilësuar Ruandën si një nga vendet e tij të preferuara. Edhe Afrika e Jugut kishte garuar për të siguruar organizimin e garës.
Ministri i saj i Sportit, Gayton McKenzie, e përgëzoi Ruandën, duke thënë se ajo kishte punuar më gjatë për projektin dhe e meritonte garën. Ai gjithashtu deklaroi se Afrika e Jugut do të arrijë të rikthejë Formula 1, ndoshta edhe para vitit 2030, raportoi AFP. Gara e fundit e Formula 1 në Afrikë u zhvillua në vitin 1993, kur Çmimi i Madh i Afrikës së Jugut u mbajt në pistën Kyalami.
