Rajon
Tiranë, PD-ja braktisi mbledhjen për reformën territoriale
13.10.2026 14:44
Opozita braktisi në shenjë revolte Konferencën e Kryetarëve këtë të martë...

Opozita braktisi në shenjë revolte Konferencën e Kryetarëve këtë të martë, teksa diskutohej ringritja e Komisionit të Posaçëm për fazën e dytë të Reformës Territoriale. Me gjasë, PD-ja do të refuzojë të marrë pjesë në komisionin e ri. Arsyen e shpjegoi Jorida Tabaku.
“E enjtja e kaluar ishte një ditë zie për bashkitë që u fshinë me një të rënë të lapsit. Këta sjellin po të njëjtin përmbajtje të Komisionit të Reformës. Duhet të fillonte puna me kompetencat dhe përgjegjësitë dhe harta duhet të ishte produkt i këtyre ligjeve. Nëse ne ishim në një komision që nuk i bëri detyrat, nuk e di pse duhet të ulemi në një tjetër komision.”, - deklaroi Jorida Tabaku.
Por, socialisti Taulant Balla i kërkon reflektim. Balla i kërkon PD-së të mos pengojë punën edhe në reformën tjetër, atë zgjedhore, afati i së cilës përfundon në nëntor.
“Opozita duhet të kuptojë se detyrimet e Shqipërisë përballë Brukselit nuk janë vetëm detyrimet e Partisë Socialiste apo të shumicës qeverisëse, por janë detyrime të Kuvendit si institucion. Ti nuk mund ta mbash peng Reformën Zgjedhore për agjendën tënde politike të ditës. Unë mendoj se, sa i përket agjendës evropiane, ne duhet të kemi dakordësi.”, - theksoi Taulant Balla.
I pyetur mbi zgjerimin e votimit dhe numërimit elektronik, që PD-ja po ashtu e ka kundërshtuar, duke thënë se procesi është manipuluar, Balla tha se Tirana do të ishte një prej opsioneve më të mira për të implementuar votën elektronike.
LULJETA NDOKA
