Maqedoni
Këshilli i Prokurorëve, kandidatët për PThNKOK prezantuan vizionin
13.10.2026 15:00
Pesë kandidatët për kryetar të Prokurorisë për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit prezantuan vizionin dhe prioritetet e tyre për drejtimin e këtij institucioni....

Pesë kandidatët për kryetar të Prokurorisë për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, para Këshillit të Prokurorëve, prezantuan vizionin dhe prioritetet e tyre për drejtimin e këtij institucioni. Ata u zotuan për një prokurori të pavarur, profesionale dhe efikase, e cila do të jetë më proaktive në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit të lartë.
“Prioriteti i parë në programin tim është forcimi i pozitës së Qendrës Hetimore në kuadër të Prokurorisë Publike. Prioriteti i dytë është përfshirja proaktive në rastet që publikohen nga partnerët tanë ndërkombëtarë në formën e listave të zeza.”, - deklaroi prokurori publik, Faton Azizi.
“Programi im bazohet në një funksion të qartë: kjo prokurori të jetë e pavarur, profesionale dhe efikase. Të jetë e aftë të hetojë format më të ndërlikuara të krimit të organizuar dhe korrupsionit të lartë, por edhe të zbulojë, sigurojë dhe konfiskojë përfitimet kriminale kur plotësohen kushtet ligjore.”, - theksoi prokurori publik, Trajçe Pelivanov.
“Unë ofroj profesionalizmin tim në fushën e zbulimit të veprave penale. Ky është një funksion që prokuroria publike e ka lënë pas dore, sepse për një kohë të gjatë të gjithë kanë qenë të bindur se prokurori publik duhet vetëm të ndjekë penalisht.”, - u shpreh prokurorja, Lidija Rajçeviq.
“Detyrimi ynë është që në të gjithë territorin e shtetit t’i shkatërrojmë grupet kriminale dhe të akuzojmë ata për të cilët kemi siguruar prova, përmes procedurave efikase, të shpejta dhe të drejta, me qëllim që të rrisim besimin në punën tonë.”, - deklaroi prokurorja publike, Iskra Haxhi Vasileva.
“Prioritetet dhe qëllimet e mia për katër vitet e ardhshme, 2026–2030, janë efikasiteti në hetimet për korrupsionin e lartë dhe pastrimin e parave, ulja e numrit të lëndëve të vjetra dhe të pazgjidhura, si dhe forcimi i kapaciteteve kadrovike të Qendrës Hetimore.”, - theksoi prokurori publik, Jovan Cvetanovski.
Emri i pasardhësit të Islam Abazit, i cili deri më tani drejtonte Prokurorinë për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, pritet të bëhet i ditur më 28 tetor. Bëhet fjalë për një nga institucionet më të rëndësishme në luftën kundër kriminalitetit të organizuar dhe korrupsionit në vend.
FLORIJE KAMBERI
