Maqedoni
Kumanovë – Likovë, u mbajt edicioni i gjashtë i Festivalit Ndërkombëtar “Ballkan Fest”
13.10.2026 15:18
Në organizim të Ansamblit të Këngëve dhe Valleve “Bajram Shabani” nga Kumanova...

Në organizim të Ansamblit të Këngëve dhe Valleve “Bajram Shabani” nga Kumanova, u mbajt edicioni i gjashtë i Festivalit Ndërkombëtar “Ballkan Fest”, që për dy net me radhë mblodhi ansamble dhe shoqëri kulturore-artistike nga disa vende të rajonit. Festivali ndërkombëtar “Balkan Fest” nisi me sfilatën e ansambleve dhe shoqërive kulturore-artistike nga vende të ndryshme të rajonit, të cilat parakaluan në rrugët e qytetit të Kumanovës, duke sjellë ngjyrat, ritmet dhe traditat e kulturave të tyre.
"Këtë edicion nuk patëm mundësi të zgjerohemi më tepër, këto ishin vendet që t'i përgjigjën pozitivisht ftesës sonë, erdhën na nderuan, performuan dhe besoj që publiku kumanovar dhe i Komunës së Likovës kanë mbetur të kënaqur. Sivjet kemi bashkëpunim shumë të mirë me Komunën e Likovës, me kryetarin e komunës, tash e kemi zgjeruar përfshirjen edhe në Komunën e Likovës.", - deklaroi drejtori i "Ballkan Fest", Dritan Ramadani.
Për më të mirët nga pjesëmarrësit që garuan në këtë festival, i ndanë edhe çmimet e caktuara nga juria profesionale e “Ballkan Fest”, me çfarë çmimi i tretë i takoi AKV “Bllagaj” nga Bosnja e Hercegovina, çmimi i dytë u nda për ShKA “Zëri i Kosovës” nga Kosova, çmimi i parë i takoi “NAKEM”nga Bursa e Turqisë, kurse për herë të parë u nda edhe çmimi special i Festivalit e që i takoi AKV “Ilirida” nga Kosova.
"Jam shumë krenar. Niveli është diçka që gjithmonë ecën, nuk është hera e parë që jam në këtë festival, edhe unë po e vërej dallimin, përparimin e këtij festivali dhe, të them të drejtën, mbi të gjitha jam shumë krenar që po arrihet që në këtë trevë të organizohet një festival kaq kombëtar dhe me kaq peshë.", - u shpreh anëtari i jurisë, Ylber Asllanaj.
Festivali “Ballkan Fest” tashmë është shndërruar në një aktivitet tradicional, që synon ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore, si dhe forcimin e bashkëpunimit ndërmjet ansambleve dhe shoqërive kulturore-artistike të rajonit.
FATLUM AQIFI
