Maqedoni

Rasti i Iva Mihaillovës, reagime dhe kërkim përgjegjësie

13.10.2026 15:29

LSDM-ja opozitare kërkon dorëheqjen e ministrit të Punëve të Brendshme...

LSDM-ja opozitare kërkon dorëheqjen e ministrit të Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, si dhe hetim ndaj të gjithë personave që mund të jenë përfshirë në kalimin e kufirit nga Iva Mihaillova, e cila u largua nga Maqedonia e Veriut drejt Bullgarisë, ndonëse gjykata ia kishte konfiskuar pasaportat maqedonase dhe bullgare. Partia kërkon sqarime se si ajo kaloi kufirin pa u regjistruar nga policitë kufitare dhe kërkon përgjegjësi për të gjithë të përfshirët.
 
“Duhet të ketë përgjegjësi institucionale. Zinxhiri i veprimeve dhe ai i përgjegjësisë duhet të bëhen të qarta. Pançe Toshkovski duhet të japë dorëheqje të menjëhershme, pasi nën kompetencën e tij është i gjithë kufiri i shtetit tonë. I gjithë ky skandal dhe ky rast nuk mund të reduktohen në thirrjen e ambasadorëve për biseda demokratike, përkatësisht diplomatike, ndërkohë që vetëm tani po paralajmërohet lëshimi i fletarrestimeve.”, - deklaroi Andrej Zheernovski nga LSDM.
 
Me reagim kanë dalë edhe nga Partia Liberale Demokratike. Sipas tyre, rasti i Mihaillovës ka nxjerrë në pah mosfunksionimin serioz të institucioneve shtetërore dhe ngre pyetje në lidhje me sundimin e ligjit në Maqedoni.
 
“Rasti nuk duhet të përdoret për të nxitur përçarje etnike dhe fushata nacionaliste, por përkundrazi duhet të shihet përmes prizmit të përgjegjësisë së institucioneve. Duhet të hetohet edhe nëse me procedurat e ndërmarra, në këtë rast janë kryer krime të reja.", thuhet në komunikatën e Partisë Liberale Demokratike. 
 
Ndërkohë, eurodeputeti bullgar nga GERB-i, Andrej Kovaçev, vlerëson se Shkupi nuk ka arsye të ankohet te institucionet evropiane për rastin. Ai tha se e ka informuar personalisht presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, për çështjen dhe pretendoi se Bullgaria nuk ka bërë asgjë të papërshtatshme. 
 
“Tani për tani, në takimin e PPE-së që po fillon në Itali, e kam informuar presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, për situatën dhe besoj se Shkupi nuk ka arsye të ankohet për Bullgarinë. Çfarë saktësisht ka bërë Bullgaria që është problematike? Absolutisht asgjë.”, - theksoi eurodeputeti nga GERB-i, Andrej Kovaçev.
 
Kovaçev e cilësoi rastin si çështje humanitare, duke theksuar se gjendja shëndetësore e Mihaillovës kërkon kujdes të menjëhershëm mjekësor. 
 
FITIM KRYEZIU