Rasti “Mihajllova”, Prokuroria Publike propozon masë paraburgimi

13.10.2026 17:46

Institucionet shtetërore kanë vazhduar me kontrolle dhe verifikime që ndërlidhen me ikjen e Iva Mihajllovës në Bullgari...

Institucionet shtetërore kanë vazhduar me kontrolle dhe verifikime që ndërlidhen me ikjen e Iva Mihajllovës në Bullgari, respektivisht, mënyrën se si arriti ta lëshojë kufirin shtetëror të RMV-së dhe hyrjen e saj në shtetin fqinj. Nga Prokoruria Publike njoftojnë se i kanë propozuar gjykatës masën e paraburgimit për personin në fjalë.
 
MPB: S’ka evidencë për daljen e saj nga vendi
 
Ndërkohë MPB-ja me sqarime se në sistemin e kontrollit kufitar nuk është evidentuar dalja e saj nga territori i RMV-së. As në evidencën e  kufitrit bullgar nuk është evidentuar  hyrja e Mihajllovës. Nga ky dikaster më tej informojnë se Mihajllova për herë të fundit legalisht ka hyrë në Bullgari në shtator të vitit 2025, ndërsa në tetor 2025 është evidentuar dalja e saj nga Bullgaria, respektvisht, hyrje në RMV.
 
“Përmes qendrës së përbashkët të kontaktit me Repunlikën e Bullgarisë janë kryer kontrolle edhe nga ana e kufirit bullgar, prej ku është marrë informacion se për personin e përmendur nuk është evidentuar hyrje legale në territorin e Republikës së Bullgarisë.”, - deklaroi zëdhënësi i MPB-së, Goce Andreevski.
 
MPJ-ja fton ambasadorin bullgar në RMV
 
Ministria e Punëve të Jashtme e Maqedonisë së Veriut ka paralajmëruar se do t’i informojë Bashkimin Evropian dhe Këshillin e Evropës për rastin, dhe, këtë ia kanë përcjellur edhe ambasadorit të Bullgarisë në vend, Zeljasko Radsukov, të  thirrur në MPJ.
 
“Ambasadorit iu përcoll mesazhi se mënyra se si Iva Mihajllova u prit në Sofje, përfshirë edhe paralajmërimet për pritjen e saj në nivel të lartë, përbën provokim, minon përpjekjet për ndërtimin e besimit dhe është në kundërshtim me angazhimet për zhvillimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë. Njëkohësisht, u theksua se një veprim i tillë përbën ndërhyrje të drejtpërdrejtë në sistemin juridik të shtetit tonë dhe dërgon një mesazh seriozisht të gabuar sa i përket respektimit të procedurave gjyqësore dhe parimit të barazisë para ligjit.”, - thanë nga MPJ.
 
Nga MPJ-ja presin që Bullgaria  si anëtare e Bashkimit Evropian të veprojë në përputhje me parimet themelore evropiane, respektimin e procedurave gjyqësore, bashkëpunimin institucional dhe sundimin e ligjit. Përkujtojmë se Mihailova është e akuzuar në një proces gjyqësor në lidhje me një aksident trafiku me pasoja fatale në Koçan. Nuk dihet nëse Mihajllova do të paraqitet në seancën gjyqësore të caktuar më 9 nëntor. Për teleivizionin bullgar BTV,  Mihajllova ka thënë se procesi gjyqësor me të ose pa të do të vazhdojë, duke  e lënë të hapur çështjen e kthimit të saj pas largimit të saj në Bullgari.
 
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU