Maqedoni
Gjykimi për 13 policët në “Puls”, zjarrëfikës dëshmuan për kaosin, të ngujuarit
13.10.2026 16:01
Zjarrfikësit që ndërhynë për të shpëtuar në diskotekën “Puls” në Koçan dëshmuan se hyrja ishte e bllokuar nga njerëz të ngujuar deri në lartësinë e kokës...

Zjarrfikësit që ndërhynë për të shpëtuar në diskotekën “Puls” në Koçan dëshmuan se hyrja ishte e bllokuar nga njerëz të ngujuar deri në lartësinë e kokës, ndërsa për nxjerrjen e një personi shpesh nevojiteshin dy ose tre persona. Zjarrfikësi Blagojço Paunov deklaroi se ekipet e shpëtimit bashkëpunuan me policinë, sigurimin dhe qytetarët për të nxjerrë të bllokuarit.
Ndërkaq, komandanti i njësisë territoriale të zjarrfikësve në Koçan, Dragan Apostollov, dëshmoi se një pajisje kundër zjarrit brenda objektit kishte zorrë dhe pipëz, por i mungonte valvula për lëshimin e ujit, duke e bërë atë të papërdorshme.
Prindërit kërkojnë përgjegjësi
Prindërit e viktimave kërkuan një proces gjyqësor efikas dhe zbardhjen e përgjegjësisë mbi bazën e provave. Aleksandar Naunov, prind i njërit prej viktimave, theksoi se koncerti duhej të ishte ndaluar para fillimit të tij.
“Diskoteka "Puls" nuk ka pasur dokumentacion ligjor për mbajtjen e koncertit. Koncerti duhej të ishte penguar para se të fillojë dhe rreziqet të largohen me kohë. Ne, prindërit e fëmijëve që humbën jetën, pyesim: Si do të dëshmoni se klientët tuaj nuk janë përgjegjës për marrjen e masave në kohë kur pasojat janë 63 të vdekur dhe mbi 218 të lënduar.”, - deklaroi prindi i viktimës, Aleksandar Naunov.
Në procesin gjyqësor po gjykohen 13 zyrtarë policorë, të akuzuar për mosveprim në përputhje me planin aksional.
FLORIJE KAMBERI
