Maqedoni

Zgjedhjet e parakohshme në Bërvenicë

13.10.2026 17:10

Kandidatët për kryetar të Komunës së Bërvenicës vazhdojnë me prezantimin programeve...

Kandidatët për kryetar të Komunës së Bërvenicës vazhdojnë me prezantimin programeve të tyre zgjedhore, duke premtuar investime në infrastrukturë, rindërtim të shkollave, përmirësim të sigurisë dhe krijim të vendeve të reja të punës. 
 
“Si nëpunës në Komunën e Bërvenicës kam qenë pjesë e realizimit të disa projekteve konkrete. Një prej këtyre projekteve është edhe ky park në fshatin Tenovë, i cili është realizuar në bashkëpunim me USAID-in dhe banorët e këtij fshati. Si kryetar i komunës, këtë përvojë do ta kthej në shumë projekte të tjera për çdo vendbanim dhe çdo fshat të Komunës së Bërvenicës. Vëmendje kërkon edhe infrastruktura që lehtëson jetën e banorëve. Ashtu si në Radiovcë edhe në Miletinë ka nevojë urgjente për zgjerimin e urës dhe me këtë do të mundësojmë lehtësimin e qarkullimit. Miletina kërkon investime që shihen dhe u shërbejnë qytetarëve për çdo ditë.”, - deklaroi kandidati i VLEN-it, Jakup Huseini.
 
“Prej 11 gushtit, prej kur më shpallën si kandidat të koalicionit AKI, ne kemi vizituar çdo fshat, çdo vendbanim, çdo lagje nga Gurgurnica deri në Sedllarcë të Poshtme dhe i kemi marrë për bazë kërkesat dhe nevojat e qytetarëve. Dhe ne nga ato kërkesa kemi hartuar një planprogram zhvillimor zgjedhor. Vizioni im me këtë program është që të kemi qeverisje funksionale, zhvillim dhe vende të reja të punës për fëmijët dhe familjet, fshatra me perspektivë dhe qeverisje me përgjegjësi.”, - theksoi kandidati i AKI-së, Arkin Jahiji. 
 
“Do ta pajisim njësinë antizjarr dhe do të krijojmë oborre më të sigurta në shkolla. Bërvenica ka fuqi dhe kjo fuqi jeni ju, të rinjtë, familjet, prindërit dhe gjyshërit tanë. Njerëzit që çdo ditë punojnë, e krijojnë dhe ndërtojnë këtë komunë. Komuna jonë është shembull se kur kemi një qëllim të përbashkët mund t’i realizojmë ëndrrat tona në realitet. Andaj, sot para jush nuk qëndroj me premtime të zbrazëta, po qëndroj me obligimin për të punuar, të jem i kapshëm dhe të jem transparent.”, - u shpreh kandidati i VMRO-DPMNE-së, Stojanço Radiçevski. 
 
“Sot jam në Tenovë në rrugën lokale, i cili shpie deri te kisha Shën Diella. Të gjithë e dimë se në çfarë gjendje është kjo rrugë. Andaj, si kandidat për kryetar të Komunës së Bërvenicës, ju premtoj se do ta rindërtojmë rrugën që banorët përfundimisht të kenë qasje të duhur. Por, s’do të ndalemi këtu. Premtoj që në Tenovë do të bëj rikonstruim të plotë të shkollës, pasi që fëmijët tanë meritojnë kushte moderne dhe të sigurta për mësim. Tenova meriton vëmendje, investime dhe zgjidhje konkrete. Luftojmë për një Tenovë dhe Bërvenicë më të mirë.”, - deklaroi kandidati i LSDM-së, Jovica Radeski. 
 
“Gjendem në fshatin e fundit të Bërvenicës, është Gurgurnica. Shumica nuk e dinë se ky fshat del në liqenin Kozjak. Shumica në Bërvenicë nuk e dinë se Komuna e Bërvenicës është vendi i cili gjendet në anën e djathtë të liqenit, një vend i bukur për t’u parë. Platforma ime bazohet në zhvillimin e Bërvenicës, menaxhimin me komunën siç duhet, investime, ndërmarrje, administrata komunale, ndërmarrje të higjienës komunale, ekologji, e kështu me radhë.”, - theksoi kandidati i pavarur, Dushan Bogdanovski.