Tiranë, protesta para Ministrisë së Arsimit

13.10.2026 17:43

Dhunë e tensione në protestën e thirrur nga studentët dhe grupi i protestuesve të “Flamingove”...

Dhunë e tensione në protestën e thirrur nga studentët dhe grupi i protestuesve të “Flamingove” para Ministrisë së Arsimit. Protesta nisi e qetë, por pas një ore përshkallëzoi në akte dhune.
 
Të rinj të maskuar arritën të shkulin kangjellat e trotuarit dhe me të të godasin rrethimin e Ministrisë së Arsimit. Një portë u shemb dhe studentët arritën të futen në oborrin e Ministrisë së Arsimit.
 
Policia reagoi menjëherë, duke krijuar një kordon sigurie brenda në oborrin e Ministrisë, duke u kundërpërgjigjur me sprej piperi. Me thirrjet “Dorëheqje!” dhe “Ju erdhi fundi!”, studentët qëlluan me pllaka trotuari në drejtim të godinës.
 
Disa prej tyre arritën të thyenin edhe një pjesë të xhamave. Po ashtu, drejt godinës u hodhën vezë, gurë e kapsolla. Pas akteve të dhunës, policia ndërhyri duke i shpërndarë me ujë.
 
Përplasjet fizike agravuan, e për pasojë pati efektivë dhe protestues të lënduar.
 
Sipas raportimeve, protestuesit janë ndarë në dy grupe, një pranë autobotit  me ujë dhe një pjesë tjetër e kufizuar nga kordoni i policisë. Të rinjtë hodhën vezë e sende të forta drejt policisë, e cila tentoi t’i shpërndajë me ujë.
 
LULJETA NDOKA