Provimi i Jurisprudencës, Shasivari fton studentët në takim
13.10.2026 17:43
Ministria e Drejtësisë ka caktuar takim me studentët dhe dekanët e fakulteteve juridike të hënën e ardhshme...

Ministria e Drejtësisë ka caktuar takim me studentët dhe dekanët e fakulteteve juridike të hënën e ardhshme, ku do të prezantojë zgjidhjen për Provimin e Jurisprudencës në gjuhën shqipe. Siç thuhet në njoftimin e Ministrisë, ftesat tashmë janë dërguar dhe presin pjesëmarrjen e të gjitha palëve të përfshira në proces.
“Ministria e Drejtësisë ju informon se të hënën, më 19 tetor, është planifikuar të mbahet një takim informativ i ministrit të Drejtësisë, Jeton Shasivari, me dekanët e fakulteteve dhe përfaqësuesit e organizatave studentore. Ftesat zyrtare tashmë u janë dërguar të gjithë palëve të përfshira.”.
Sipas informacioneve që janë thënë publikisht nga përfaqësues të Qeverisë, zgjidhja parashikon që të gjitha provimet teorike që përbëjnë Provimin e Jurisprudencës të jepen në gjuhën shqipe. Këto provime përbëjnë pjesën më të madhe, respektivisht 9 nga 11 provimet gjithsej. Për dy provimet praktike, detyra duhet të përpilohet në gjuhën që përdoret në praktikën gjyqësore, pra gjuhën maqedonase, por me mbështetje gjuhësore për studentët shqiptarë.
Kjo çështje u problematizua para dy vitesh, kur një grup studentësh shqiptarë kërkuan që Provimi i Jurisprudencës të jepet edhe në gjuhën shqipe. Kërkesën e tyre e shprehën edhe nëpërmjet protestave, ndërsa Qeveria u zotua të ofrojë zgjidhje. Me ndryshimet ligjore që priten të jenë pjesë e zgjidhjes, ky provim për herë të parë do të mbahet edhe në shqip.
BENJAMIN ARIFI
