Kuvend, përplasje për Ligjin e Mjedisit
13.10.2026 17:43
Ligji për Mjedis Jetësor u bë shkak për përplasje të ashpra gjatë leximit...

Ligji për Mjedis Jetësor u bë shkak për përplasje të ashpra gjatë leximit të dytë në Komisionin parlamentar për transport, transformim digjital, mjedis jetësor dhe planifikim hapësinor. Deputetët e partisë E Majta dhe ata të Frontit Evropian propozuan një sërë amendamentesh, shumica e të cilave u refuzuan.
“Me nenin 2 të propozuar fshihet fjala rikonstruim dhe me të mundësohet rikonstruim i instalimit të industrisë së rëndë ndotëse, në afërsi prej më shumë se 5 kilometra nga vendbanimi. Kjo ndalesë është paraparë në vitin 2022. Me ndryshimet e propozuara, propozuesi na kthen mbrapa dhe poenta është që në të ardhmen edhe industritë ekzistuese të dislokohen në perimetër prej 5 kilometrash nga vendbanimi.”, - deklaroi Sashko Jançev nga E Majta.
“Amendamentin nuk mund ta pranojmë, do të doja të sqaroj përse. Domethënë në të gjithë shtetin, ne kemi industri që ekziston nga ish-Jugosllavia, që edhe sot funksionojnë. Me ndryshimet që janë bërë në vitin 2022, kësaj industrie i ka pamundësuar të bëjë modernizim, të pajisen me teknologji bashkëkohore dhe kështu me radhë. Absolutisht si ministri nuk do të lejojmë të pengohet një industri të modernizojë teknologjinë.”, - theksoi zëvendësministrja e Mjedisit, Ane Llaskova.
U pranua vetëm një amendament i partisë E Majta, në pjesën e të ashtuquajturave pika të nxehta ekologjike. Nga ana tjetër, deputeti i Frontit Evropian, Sali Murat, u ankua për diskriminim, pasi iu refuzuan 18 amendamentet e propozuara.
“Grupi parlamentar i Frontit Evropian nuk ndalon këtu, do të dorëzojmë propozim të ri për plotësim të të gjitha amendamenteve të mia, do të mbajmë konferencë për këtë shkelje të rregullores, të diskriminimit të një deputeti në Kuvend.”, - u shpreh Sali Murat nga Fronti Evropian.
Pas përfundimit të debatit në komisionin parlamentar, draft-ligji për mjedisin jetësor vazhdon për në seancë plenare, ku duhet t’i nënshtrohet votimit gjatë ditëve në vijim.
BENJAMIN ARIFI
