Botë

Bullgari, sulme ndaj anijeve tregtare në Detin e Zi

13.10.2026 18:04

Autoritetet bullgare kanë kërkuar ndihmën e Bashkimit Evropian dhe NATO-s...

Autoritetet bullgare kanë kërkuar ndihmën e Bashkimit Evropian dhe NATO-s për hetimin e sulmeve ndaj anijeve tregtare në Detin e Zi, pasi dy mjete lundruese u goditën në incidente të ndara. Nga sulmet pati të plagosur mes anëtarëve të ekuipazheve, ndërsa njëra prej anijeve u fundos.
 
Kryeministri bullgar, Rumen Radev, i cilësoi incidentet si “absolutisht të papranueshme“ dhe kërkoi që të përcaktohet origjina e dronëve të përdorur në sulme. Ai bëri të ditur se i ka kërkuar ambasadores ruse në Sofje të paraqitet për bisedime, ndërsa theksoi nevojën për forcimin e mbikëqyrjes së hapësirës ajrore dhe detare të vendit.
 
“Duhet të përcaktojmë me saktësi se cilit shtet i përkasin dronët që po sulmojnë anijet në afërsi të ujërave territoriale bullgare. Do të vazhdojmë të kërkojmë ndihmë për forcimin e mbikëqyrjes së hapësirës sonë ajrore dhe detare, si dhe për rritjen e kapaciteteve tona për reagim.”, - deklaroi kryeministri i Bullgarisë, Rumen Radev. 
 
Incidentet vijnë pas një rasti të ngjashëm javën e kaluar, kur dy anije të tjera u goditën në zonën ekskluzive ekonomike detare të Bullgarisë.
 
“Pesë persona u dërguan në spitalin “Shën Ana” me lëndime të lehta. Një person tjetër u transportua në Akademinë Mjekësore Ushtarake në Varna, gjithashtu me djegie të lehta. Kemi marrë informacione edhe për një anije tjetër që është sulmuar pranë Krapecit, sërish në afërsi të ujërave territoriale të Republikës së Bullgarisë.”, - theksoi guvernatori rajonal i Varnës, Mario Smarkov.
 
Ndërkohë, marinarë nga anija “Chelsea 3” deklaruan se mjeti lundrues ishte goditur tri herë nga një dron, të cilin ata e identifikuan si rus. Ata thanë se nuk kishte rënë zjarr dhe se të gjithë anëtarët e ekuipazhit ishin gjallë.
 
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, paralajmëroi se Deti i Zi është shndërruar në një tjetër zonë të përshkallëzimit të tensioneve, ndërsa sekretari i përgjithshëm i NATO-s bëri të ditur se Aleanca po e ndjek nga afër situatën.
 
SARA KAJOLLI