Botë
Rusia vazhdon sulmet në Ukrainë, përpjekje diplomatike për t’i dhënë fund luftës
13.10.2026 18:22
Vendet evropiane synojnë të ruajnë unitetin dhe të shtojnë mbështetjen për Ukrainën...

Vendet evropiane synojnë të ruajnë unitetin dhe të shtojnë mbështetjen për Ukrainën, ndërsa përpiqen të krijojnë kushte që Rusia të ulet në tryezën e negociatave. Për Poloninë, përparësia e menjëhershme mbetet që Ukraina të mos përballet e vetme me presionin ushtarak rus gjatë dimrit.
“Personalisht, më vjen keq që gjatë dy viteve të para, madje edhe dy viteve e gjysmë të luftës, kemi humbur kohë sa i përket riarmatimit. Prandaj, çështja kryesore është ta mbështesim Ukrainën gjatë këtij dimri që po afron. Mendoj se Putinit i kanë mbetur vetëm dy karta për të luajtur: mobilizimi i fshehtë dhe vetë dimri i ashpër, të cilin në Rusi e quajnë “gjenerali Dimër”. Ne duhet të bëjmë një përpjekje të jashtëzakonshme financiare dhe ushtarake, përmes furnizimeve, si dhe të ofrojmë ndihmë humanitare për ta mbështetur Ukrainën.”, - deklaroi zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm i Polonisë, Radoslav Sikorski.
Ndërkohë, ambasadori i ShBA-së në NATO, Metju Uhitaker, vlerësoi qëndresën e Ukrainës ndaj Rusisë, duke theksuar se presidenti Donald Trump dhe ekipi i tij po vijojnë përpjekjet diplomatike për të krijuar kushtet për nisjen e negociatave mes palëve dhe për t’i dhënë fund luftës.
“Besoj se herët a vonë, qoftë sot, nesër apo së shpejti, presidenti Trump do të krijojë kushtet që të dyja palët të ulen në tryezën e negociatave. Lajmi i mirë për Evropën dhe Ukrainën është se presidenti Trump dhe ekipi i tij janë të angazhuar në përpjekjet për t’i dhënë fund këtij konflikti.”, - u shpreh ambasadori i ShBA-së në NATO, Maetju Uhitaker.
Në Forumin e Sigurisë në Varshavë, përfaqësuesit perëndimorë kanë bërë thirrje për vazhdimin e mbështetjes për Kievin dhe për shtimin e përpjekjeve diplomatike për arritjen e një armëpushimi.
SARA KAJOLLI
