Maqedoni

Mihailova është larguar ilegalisht nga RMV-ja, është lëshuar fletarrest ndërkombëtar

14.10.2026 11:44

Gjykata Themelore e Koçanit i ka caktuar Mihailovas masën e paraburgimit prej 30 ditësh, ndërsa është lëshuar edhe fletarrest ndërkombëtar.

Iva Mihailova është larguar ilegalisht nga Maqedonia. Gjykata Themelore e Koçanit i ka caktuar asaj masën e paraburgimit prej 30 ditësh, ndërsa është lëshuar edhe fletarrest ndërkombëtar. 
 
Ministria e Punëve të Brendshme po heton se si ka arritur Mihailova të largohet nga vendi dhe nëse kjo është bërë përmes një pike të rregullt kufitare. Ambasadori bullgar është thirrur në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, ku i është dorëzuar një demarsh verbal. Pritja e të arratisurës në Sofje është vlerësuar si provokim që dëmton marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë. Opozita kërkon ekstradimin e saj dhe dorëheqje. 
 
Mihailova është e akuzuar për një aksident trafiku me viktimë. Ajo dhe avokati i saj pretendojnë se e kanë kaluar kufirin përmes një pike të rregullt kufitare, ndërsa policia maqedonase thotë se nuk ka të regjistruar asnjë dalje të saj nga vendi. 
Nga ana tjetër, pala bullgare nuk ka regjistruar hyrje të ligjshme. Hetimi duhet të japë përgjigje se si është e mundur që një person ndaj të cilit është në fuqi një masë gjyqësore të gjendet në një shtet tjetër pa pasur regjistrimin përkatës.