Dysheme prej xhami me ndriçim LED në botërorin e “Gjermania 2027”
14.10.2026 13:36
Organizatorët gjermanë të Kampionatit Botëror të hendbollit 2027 duan që ndeshja finale të zhvillohet në një sipërfaqe prej xhami me ndriçim LED

Organizatorët gjermanë të Kampionatit Botëror të hendbollit 2027 duan që ndeshja finale të zhvillohet në një sipërfaqe prej xhami me ndriçim LED, e cila do të mundësonte animacione spektakolare dhe efekte ndriçimi, raportojnë mediat gjermane. Sipërfaqja e re e lojës në Këln do t'u mundësonte organizatorëve të përdorin teknologji moderne vizuale në mënyrë inovative dhe spektakolare, para ndeshjeve dhe gjatë pushimit mes pjesëve.
„Nuk dua të zbuloj shumë për momentin. Shpresoj që së shpejti të marrim një vendim përfundimtar“, deklaroi Mark Schober, drejtori ekzekutiv i Federatës Gjermane të Hendbollit, në podcastin „Kreis“.
Ai shtoi se vendimi ende është në pikëpyetje për shkak të kostove, ndërsa do të nevojiteshin edhe disa ndryshime organizative.
“Nëse vendosim për këtë zgjidhje, do ta përdorim këtë teknologji gjatë fundjavës finale“, tha Schober.
Ai theksoi se paratë nuk duhet të përbëjnë problem, pasi deri më tani janë shitur aq shumë bileta për Kampionatin Botëror, saqë organizatorët tashmë kanë siguruar fitim. Kjo dysheme futuriste tërhoqi vëmendje të madhe edhe këtë vit, në turneun final të Kupës së Gjermanisë në hendboll, i cili u zhvillua gjithashtu në palestrën e Këlnit.
Miliona pika LED ndriçojnë nën sipërfaqen e posaçme prej xhami, duke e shndërruar fushën në një ekran gjigant digjital. Përveç vijave të fushës, aty mund të shfaqen logot e skuadrave, reklama, statistika dhe animacione të ndërlikuara. Mendimet e lojtarëve ishin të ndara pas përdorimit të parë të kësaj dyshemeje të pazakontë në Kupën e Gjermanisë. Megjithatë, të gjithë pajtohen se kjo risi është një përfitim i madh për spektatorët dhe një mundësi e re për promovimin e hendbollit.
