Maqedoni
Këshilli Komunal në Tetovë, mospajtime rreth projekteve
14.10.2026 14:27
Përplasjet mes pushtetit dhe opozitës në Këshillin Komunal të Tetovës kanë kulmuar me bllokimin e seancës....

Përplasjet mes pushtetit dhe opozitës në Këshillin Komunal të Tetovës kanë kulmuar me bllokimin e seancës. Këshilltarët opozitarë kërkojnë që nga rendi i ditës të hiqen pikat 7 dhe 8, të cilat kanë të bëjnë me dy projekte të planifikuara përmes partneritetit publiko-privat. Pika e shtatë ka të bëjë me propozim-përfundimin për miratimin e studimit të fizibilitetit për partneritetin publiko-privat për ndërtimin e një objekti administrativ-komercial për Komunën e Tetovës. Ndërsa pika e tetë parasheh fillimin e procedurës për dhënien e kontratës përmes partneritetit publiko-privat për projektimin, financimin, ndërtimin, pajisjen, menaxhimin dhe mirëmbajtjen e stacionit të zjarrfikësve dhe objektit komunal. Opozita pretendon se përmes këtyre projekteve rrezikohet prona publike, ndërsa nga pushteti thonë se bëhet fjalë për investime të rëndësishme për qytetin.
“Do ta bllokojmë seancën tërë ditën dhe do të vazhdojmë ta bllokojmë. Ne nuk jemi kundër investimeve, por kjo është një vjedhje klasike, një vjedhje e poshtër klasike. Nuk jemi kundër investimeve në Tetovë, jemi pro tyre, por jemi kundër vjedhjeve.”, - deklaroi Berat Murati nga AKI.
“Për pikën 7, e cila ka të bëjë me ndërtimin e objektit te zjarrfikësit, duhet të theksohet se ky projekt është në vazhdën e projekteve kontroverse të kësaj udhëheqësie. Kjo udhëheqësi e filloi mandatin në Tetovë duke shitur ndërmarrjen e mbeturinave, vazhdoi me ndriçimin publik dhe më pas me Monopolin.”, - theksoi Arlind Murtezani nga LSh.
“Kjo ka të bëjë me një privatizim, me një vjedhje flagrante, për të cilën vetëm dje, brenda dy orësh e 17 minutash, është përmirësuar tabela, duke u shtuar katër milionë euro, pasi llogaritjet fillestare kishin dalë gabim. Unë mendoj se kjo është e papranueshme dhe se kemi të bëjmë me një studim fizibiliteti tejet joserioz.”, - u shpreh Agron Arifi nga “Më mirë për Tetovën”.
Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, vlerëson se pikat nuk duhet të hiqen nga rendi i ditës, por çështjet duhet të trajtohen përmes debatit, argumenteve dhe propozimeve konkrete.
“Do të ketë debat publik dhe ne jemi të hapur. Nëse kanë ekspertë që mund të ofrojnë një studim më të mirë, ne jemi të gatshëm ta pranojmë. Pra, këtu fillon debati për këtë temë të rëndësishme për Komunën e Tetovës. Nëse ka të interesuar, debati do të vazhdojë, qoftë për një ditë, një javë apo një muaj, sepse ne nuk kemi asgjë për të fshehur. Ky projekt është një nga projektet më kapitale për Tetovën dhe jemi të gatshëm të bisedojmë me këdo për këtë temë.”, - theksoi kryetari i Tetovës, Bilall Kasami.
Këshilltarët opozitarë protestuan edhe ditë më parë para objektit të zjarrfikësve në Tetovë, ku kërkuan të mos miratohet ky propozim. Ata paralajmërojnë se protestat dhe bllokadat do të vazhdojnë derisa pikat 7 dhe 8 të hiqen nga rendi i ditës.
VISAR SADIKI
