Maqedoni

Largimi i Mihajllovës në Bullgari, LSDM kërkon dorëheqjen e Toshkovskit

14.10.2026 14:40

LSDM-ja opozitare kërkon përgjegjësi dhe dorëheqje nga ministri i Brendshëm...

LSDM-ja opozitare kërkon përgjegjësi dhe dorëheqje nga ministri i Brendshëm, Pançe Toshkovski, për rastin e largimit ilegal në Bullgari të Iva Mihajllovës, e cila akuzohet për një aksident trafiku, ku humbi jetën një person dhe u plagosën tre të tjerë. Partia opozitare ngritë dilemës se Mihajllova mund të mos ekstradohet nga Bullgaria në Maqedoni për shkak të shtetësisë së saj bullgare.
 
“Mickoski mbron Toshkovskin, dhe anasjelltas, Toshkovski mbron krimin e grabitësit dhe Grupit të Krimit të Organizuar. Çdo gjë që bën Qeveria është një farsë. Ata bënë një marrëveshje me Bullgarinë dhe e lanë Iva Mihajllovën të kalonte kufirin. Në vend të përgjegjësisë dhe dorëheqjes së Toshkovskit, populli tani po shikon teatër. Thirret ambasadori bullgar, lëshohet një urdhër arresti, kërkohet paraburgim, përgjegjësia i kalon dikujt tjetër, zhvillohet një fushatë mediatike.”, - deklaroi Keti Shterjova nga LSDM.  
 
Trajtimi i Mihajllovës në Bullgari, VMRO-DPMNE: Plan i Filipçes dhe Zaevit
 
Janë kundërpërgjigjur nga VMRO-DPMNE-ja, sipas së cilës, plani fillestar për trajtimin shëndetësor të Mihajllovës në Bullgari ishte i Filipçes dhe Zaevit.
 
“Teza që e kemi thënë publikisht për një kohë të gjatë është gjithnjë e më e dukshme, se Filipçe dhe Zaevi po shantazhohen nga autoritetet bullgare dhe Rumen Radevi. E pyesim drejtpërdrejt Venko Filipçen, a është i saktë informacioni, se ishte ai, në bashkëpunim me Zaevin, i cili u premtoi bashkëpunëtorëve të ngushtë të Rumen Radevit se ishin të aftë të përgatisnin një raport mjekësor për Iva Mihajllovën, i cili do të thoshte qartë se trajtimi i saj i mëtejshëm nuk mund të kryhet në Maqedoni, por në Bullgarinë fqinje? Bashkëpunëtori kriminal dhe mjeku i Filipçes dhe Zaevit, Ivan Barbov, përgatiti një raport më 19.03.2026, i cili thotë qartë se trajtimi i saj i mëtejshëm duhet të vazhdojë në Bullgarinë fqinje.”, - theksoi Valentin Manasievski nga VMRO-DPMNE.
 
Mihajllova dhe avokati i saj pretendojnë se kanë kaluar kufirin në një vendkalim të rregullt kufitar, ndërsa policia në vend thotë se nuk ka dalje të regjistruar dhe pala bullgare nuk ka regjistruar një hyrje të ligjshme. Gjykata Themelore në Koçan ka urdhëruar që Mihajllova të mbahet në paraburgim për 30 ditë dhe është lëshuar një urdhër arresti ndërkombëtar. Ndërkohë Ministria e Jashtme e Maqedonisë së Veriut ka thirrur në takim ambasadorin bullgar, ku i është thënë se ky rast është një provokim që dëmton marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë. Mihajllova ka dy shtetësi të Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë dhe pikërisht shtetësia bullgare mund të jetë pengesa kryesore për kthimin e saj në Maqedoni.
 
FITIM KRYEZIU