Botë
Ukrainë, sulm masiv me raketa balistike ndaj Kievit
14.10.2026 14:58
Rusia kreu një sulm masiv me raketa balistike ndaj Kievit dhe disa qyteteve të tjera ukrainase...

Rusia kreu një sulm masiv me raketa balistike ndaj Kievit dhe disa qyteteve të tjera ukrainase, duke shkaktuar të paktën tre të vdekur dhe 21 të plagosur. U godit edhe një central elektrik kyç në kryeqytet dhe për pasojë të paktën 600 mijë persona kanë mbetur pa energji elektrike. Forcat Ajrore të Ukrainës bëjnë me dije se Rusia ka lëshuar gjatë natës 39 raketa balistike dhe kruz, si dhe 128 dronë. Sipas tyre, sistemet ukrainase të mbrojtjes ajrore kanë rrëzuar katër raketa dhe 115 dronë. Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, akuzoi se Ukraina nuk ishte paralajmëruar në kohë nga aleatët.
“Raketat i zbuluam vetëm disa sekonda para goditjes. Paralajmërimet në kohë nga partnerët shpëtojnë jetë.”, - theksoi presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky.
Presidenti amerikan Trump mohoi deklaratën e Zelensky-t se ShBA-ja e ka ndërprerë bashkëpunimin në fushën e inteligjencës me Kievin. Trump-i njëherësh i fajëson të dyja palët se e kanë shkelur armëpushimin për energjinë. Trump-i megjithatë tha se po punohet për t’i dhënë fund luftës.
“Ne ndajmë informacione të inteligjencës. Të dyja palët dëshirojnë përfundimin e luftës, por nuk dinë si ta arrijnë atë.”, - u shpreh presidenti amerikan, Donald Trump.
Nga ana tjetër, Ministria ruse e Mbrojtjes deklaroi se sulmet e saj masive kishin në shënjestër objektet e komunikimit dhe energjisë në rajonet e Kievit dhe Harkivit, të cilat, sipas Moskës, përdoren nga ushtria ukrainase. Moska pretendoi gjithashtu se gjatë natës kishte rrëzuar 902 dronë ukrainas mbi disa rajone ruse, përfshirë Moskën dhe Krimenë. Dronët ukrainas goditën qendrën më të madhe të të dhënave në Rusi, në pronësi të bankës dhe kompanisë teknologjike më të madhe të vendit, Sberbank, por nuk prishën operacionet e saj, tha të mërkurën një drejtues i lartë i kompanisë. Moska njëherësh akuzoi NATO-n se po përgatitet për një konflikt me Rusinë dhe e paralajmëroi që të mos “e kalojë pragun e humnerës”.
Nga ana tjetër, kryeministrja italiane Giorgia Meloni ka kritikuar vendimin e presidentit amerikan Donald Trump lidhur me naftën ruse, duke paralajmëruar se një lëvizje e tillë mund të sjellë të ardhura shtesë për financimin e luftës së Rusisë në Ukrainë. Sipas kryeministres italiane, të ardhurat shtesë nga nafta mund të përdoren për financimin e luftës, ndërsa lehtësimi i kufizimeve mund të dobësojë ndikimin e sanksioneve perëndimore ndaj Rusisë.
FITORE NAGAVCI
