Maqedoni
Klekovski: Mihajllova iku para mendimit të ekspertëve
14.10.2026 15:05
Iva Mihajllova ka ikur nga vendi pas paralajmërimit për ardhjen e konsiliumit të mjekëve bullgarë...

Iva Mihajllova ka ikur nga vendi pas paralajmërimit për ardhjen e konsiliumit të mjekëve bullgarë, të cilët së bashku me mjekët vendorë do të konstatonin se ajo mund të trajtohet në Maqedoni. Kështu ka deklaruar ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski, i cili njëherësh paralajmëroi se do të bisedojë rreth kësaj çështjeje me homologun e tij gjatë vizitës në Bullgari.
“Mendoj se ikja është për shkak të ardhjes së konsiliumit bullgar këtu. Ai së bashku me mjekët vendorë duhej t’i kontrollonte pretendimet e personit. Mendoj se atëherë do të dilnin gjërat në sipërfaqe siç janë. Unë udhëtoj në Sofje, do të bisedoj gjithsesi me ministrinë e tyre për këtë, sepse në esencë atje nuk ka rast shëndetësor.”, - theksoi ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski.
Po ashtu Inspektorati Shëndetësor Sanitar ka kryer kontroll mbi mënyrën e trajtimit shëndetësor të Iva Mihajllovës, e cila më 11 tetor, në mënyrë ilegale u largua nga Maqedonia. Drejtori i Klinikës së Neurologjisë ka konfirmuar se kontrolli është kryer me kërkesën e tij, ndërsa ka bërë të ditur se në klinikë nuk është mbajtur kolegjium profesional për të dhënë mendim konsiliar për trajtimin e pacientes jashtë vendit. Por, në raportin e neurologut Ivan Barbov rekomandohet trajtim i Mihajllovës jashtë vendit, por ky raport nuk ishte pranuar nga gjykata.
Barbov ka sqaruar se mendimin e ka dhënë pa pasur informacione se ndaj Mihajllovës po zhvillohej proces gjyqësor për aksident trafiku. Njëherësh ai ka theksuar se ajo ka pasur vetëm sigurim shëndetësor në Bullgari, gjë që ka ndikuar në dhënien e mendimit pozitiv për trajtim jashtë shtetit, përkatësisht në Bullgari.
SARA KAJOLLI
