Ekonomi
Konferenca “Arena e Biznesit”, Investimi i kompanive në digjitalizim dhe IA
14.10.2026 15:23
Kompanitë në vend janë të digjitalizuara, por me mungesë të theksuar në shfrytëzimin e inteligjencës artificiale...

Kompanitë në vend janë të digjitalizuara, por me mungesë të theksuar në shfrytëzimin e inteligjencës artificiale, u tha në konferencën “Arena e Biznesit” në Shkup kushtuar rritjes së mundësive të zhvillimit të kompanive në tregun e brendshëm dhe atë më të gjerë. Ministri për Transformim Digjital, Stefan Andonovski, thotë se bizneset që sot nuk investojnë në digjitalizim dhe inteligjencë artificiale pas 10 vitesh mund të zhduken.
“Obligimi ynë është dhe atë e bëjmë si ministri, që përmes qendrave digjitale inovative evropiane t’i ndihmojmë kompanitë për transformim digjital, ku i trajnojmë dhe u japim udhërrëfyes se si të arrijnë në një plan për transformim digjital. Kompanitë duhet të investojnë në digjitalizim dhe këtë gjë nuk duhet ta mendojnë si shpenzim, por si investim. Ata kompani që nuk do të trajnojnë stafin e tyre në digjitalizim dhe në inteligjencë artificiale, ata kompani pas 10 vitesh nuk do të ekzistojnë.”, - deklaroi Stefan Andonovski.
Organizatorët e konferencës dhe afaristët mendojnë ndryshe për procesin e transformimit të kompanive për shfrytëzim të inteligjencës artificiale. Nëse përdoret mençur mund të kesh punë, gjegjësisht jemi të papërgatitur për këtë proces ende jo shumë të njohur, thonë afaristët.
“Inteligjenca artificiale është në zhvillim dhe siç e dimë të gjithë që jemi në biznes, të gjithë e përdorim që ta përmirësojmë biznesin, kurse askush prej tyre nuk ka mbetur pa punë. Secili që do ta shfrytëzojë inteligjencën artificiale me mençuri, do të ketë punë.”, - u shpreh organizatorja e “Biznes Arena 2026”, Ivona Trajanovska.
“Nuk jam i sigurt që duhet të shkojmë me hapa të mëdha drejt inteligjencës artificiale, më mirë është që të shkojmë me proces afatgjatë në planifikimin e kompanive, për shkak se çdo ndryshim i shpejtë, bart me vete rezistencë të konsiderueshme në çdo aspekt, duhet të ketë alternativë teknologjike, gjegjësisht paraqitje ekzistuese që njerëzit të kenë kontroll mbi të, sepse bëhet fjalë për teknologji që nuk e dimë se ku do të na shpie dhe mos ndoshta do të krijojë edhe më shumë probleme se sa beneficione në të ardhmen.”, - theksoi biznesmeni, Robin Zimbakov.
Ministria për Transformim Digjital po punon për digjitalizimin e shërbimeve duke krijuar aplikacionin m-shërbime që do t’u mundësojë qytetarëve dhe kompanive dhe bankave të kenë qasje dhe shërbime më të shpejta. Deri në fund të vitit, Ministria për Transformim Digjital do të zhvillojë dhe strategjinë për inteligjencën artificiale, me qëllim parandalimin e keqpërdorimit të inteligjencës artificiale që mund të dëmtojnë qytetarët dhe kompanitë.
GAZMEND REXHEPI
