Maqedoni

Ambienti diskutohet në Kuvend, Spasovski: Kërkojmë zgjidhje me mbeturinat

14.10.2026 15:38

Problemet me ambientin jetësor ngrehen si çështje diskutimi edhe në shtëpinë legjislative....

Problemet me ambientin jetësor ngrehen si çështje diskutimi edhe në shtëpinë legjislative. Oliver Spasovski pyet ministrin e Ambientit, Hoxha, lidhur me deponitë, që sipas tij, përveç “Drisllës” asnjë tjetër nuk është sanitare. Pyet edhe për djegien e mbeturinave që rrezikojnë shëndetin e qytetarëve në Kumanovë me rrethinë.  
 
“Më intereson në raport me ndërtimin e deponisë rajonale, e cila duhej të ishte sipas planit verilindor rajonal. Tash jemi në tetor dhe nuk kemi informacion nëse përfundimisht është përfunduar evaluimi dhe a kemi përzgjedhur kryerësin?  Nëse nuk ka kur do të ndodhë kjo, sipas asaj që keni  si Ministri?.. Pyetja ime është? A ka mbaruar me procedurën e përzgjedhjes ministria?”, - deklaroi deputeti i LSDM-së, Oliver Spasovski.
 
Hoxha: Punojmë në zgjidhjen afatgjate
 
Ministri Muhamet Hoxha me konfirmim se ambientalizmi mbetet në fokus të dikasterit që drejton ai. Duke sqaruar për deponinë e qendrës rajonale që kap Kumanovën, Hoxha tha se procedura për shpalljen e këtij tenderi nuk është drejtpërdrejt  nga Ministria e Ambientit, ndërkaq mjetet sigurohen nga IPA fondet. Tha se ministria nuk ka dhënë afate, por shtoi se procedurat vazhdojnë dhe pritet vendim final. 
 
“Punojmë në zgjidhjen  afatgjate dhe sistematike të problemit me deponitë të cilat i kemi apo problemin me mbeturinat në territorin e vendit tonë. Sa i përket qytetit të Kumanovës, atje po punohet, përkatësisht vijojnë procedurat për zgjedhjen e kompanisë, e cila do të realizojë ndërtimin e qendrës rajonale për grumbullimin e mbeturinave që do të jetë në Sveti Nikollë.”, - theksoi ministri i Ambientit, Muhamet Hoxha.
 
Tetori rozë, Ajdari: Programi i skriningut s’kalon pragun
 
Në seancën u ngrit edhe sfida me kancerin në gji. BDI-ja me akuzë ndaj Ministrisë së Shëndetësisë për gjendje alarmante dhe sipas opozitës, shëndetësia mjaftohet me fushata deklarative. Rina Ajdari shton se programi i skriningut  dështon  ta arrijë pragun e nevojshëm të mbulimit, veçanërisht për gratë e moshës 50-60-vjeçare. Kërkon sqarim edhe për afatin se kur Klinika e Tetovës do ta arrijë rikonstruktimin e plotë dhe do të sigurojë aparaturë të sofistikuar.
 
“Aparati i mamografisë në Spitalin Klinik të Tetovës është funksional. Ajo që ka dështuar dhe që nuk është funksionale është zbatimi i programit nacional për zbulimin e hershëm të sëmundjeve malinje, përkatësisht, skriningu i organizuar i kancerit të gjirit, fakti i konfirmuar edhe me raportin përfundimtar të Entit Shtetëror të Revizionit.”, - theksoi Rina Ajdari nga BDI.
 
Klekovski: Punojmë në efikasitetin e saj
 
Ministri Sasho Klekovski me përgjigje se po punohet në efikasitetin e programit për skrininng. Për Klinikën e Tetovës shtoi se do të japë përgjigje me shkrim sapo t’i sigurojë informacionet rreth situatës me mamografi atje.
 
“Për momentin bëjmë evaluim dhe  të skrining programeve dhe po ashtu kemi një punëtori së bashku me shoqatën e pacientëve “Hema-Onko” dhe me profesionistë të huaj, përfshirë edhe drejtoreshën për skrining nacional të Sllovenisë, ku do të diskutojmë se si t’i bëjmë programet me efikas. Sot vij nga një promovim për preventim dh zbulim të kancerit në gji… Do të bëhen 180 mamografi gjatë vikendit që të kompensohet lista e pritjes.”, - u shpreh ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski. 
 
Ndërkohë, bllokimet për investime në Klinikën e Tetovës i mohon ministri Klekovski, duke shtuar se dikasteri i tij së bashku me Bankën Botërore po angazhohet  në sigurimin e  huasë  prej 195 milionë eurove, që do të shfrytëzohen për rikonstruktimin e klinikave të Shtipit, Tetovës dhe spitalit të përgjithshëm të Kërçovës. Klekovski shpreson që deri në fund të vitit, Qeveria do ta ketë marrëveshjen me Bankën Botërore dhe Bankën e investimeve.
 
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU