Qeveria e Kosovës themeloi grupin punues mbështetje për ish-krerët e UÇK-së në Apel
14.10.2026 15:50
Qeveria e Kosovës ka miratuar themelimin e një grupi punues për bashkërendimin e mbështetjes juridike...

Qeveria e Kosovës ka miratuar themelimin e një grupi punues për bashkërendimin e mbështetjes juridike, institucionale dhe diplomatike për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në procedurat e Apelit. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se grupi punues do të kryesohet nga zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, ndërsa do të përfshijë përfaqësues institucionalë dhe parlamentarë.
“Aktgjykimin e shkallës së parë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e konsiderojmë të padrejtë juridikisht dhe moralisht, me pasaktësi faktike dhe historike, prandaj edhe punojmë që të bëhet korrigjimi i tij në shkallën e Apelit. Siç kemi theksuar edhe më parë, për këtë nevojitet një strategji shtetërore e kombëtare, një organizim që i tejkalon dallimet partiake dhe bashkon institucionet rreth një qëllimi të përbashkët. Për këtë arsye, sot po themelojmë grupin punues të kryesuar nga zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, z. Glauk Konjufca, me përfaqësim institucional dhe parlamentar për të bashkërenduar mbështetjen juridike, institucionale dhe diplomatike në funksion të procedurave të Apelit.”, - deklaroi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Qeveria e Kosovës, mbështetje për shqiptarët e Luginës
Në këtë mbledhje Qeveria e Kosovës njëherësh solli vendim për mbështetjen financiare të Këshillit Kombëtar Shqiptar në Luginën e Preshevës.
“Vazhdojmë përkrahjen financiare për Këshillin Kombëtar Shqiptar dhe për shqiptarët e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës, që të kenë mundësi të jetojnë të arsimohen dhe ta ndërtojnë të ardhmen në vendin e vet. Serbia me bllokimin e përsëritur të mjeteve tona e shtrinë diskriminimin edhe te ndihmat që ofrojmë, duke penguar librat për nxënësit, mbështetje për familjet dhe projekte për arsimin e kulturën në gjuhën shqipe.”, - theksoi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Kurti me këtë rast kërkoi nga Serbia që t’u japë fund praktikave diskriminuese ndaj shqiptarëve, ndërsa premtoi vazhdimin e mbështetjes së Qeverisë së Kosovës për shqiptarët e Luginës së Preshevës.
GYLTENE SINANI
