Tiranë, prej dy ditësh zhvillohen protesta të dhunshme

14.10.2026 15:54

Për të dytën ditë radhazi, Tirana është përfshirë nga protesta të dhunshme, me Ministrinë e Arsimit sërish në shënjestër të sulmeve...

Për të dytën ditë radhazi, Tirana është përfshirë nga protesta të dhunshme, me Ministrinë e Arsimit sërish në shënjestër të sulmeve. Prej orës 12:00, grupe të rinjsh me fytyra të mbuluara kanë sulmuar me gurë e molotovë godinën dhe kanë shkulur kangjellat e trotuareve, ndërsa shqyen edhe derën e ministrisë.
 
Koshave të mbeturinave dhe objekteve në rrugë u është vënë flaka, ndërsa janë sulmuar me gurë edhe gazetarët që po ndiqnin protestën. Ata kanë sulmuar me gurë edhe efektivët, ndërsa policia iu përgjigj me gaz lotsjellës dhe ujë me presion.
Mazhoranca qeverisëse u bëri thirrje qytetarëve ta ushtrojnë të drejtën për të protestuar duke u distancuar nga aktet e dhunës.
 
Nga ana tjetër, Partia Demokratike kërkoi pjesëmarrje të gjerë në protestë.
 
Protestat studentore nisën dje pasdreke dhe vijuan deri pas mesnate. 16 persona u arrestuan dhe 49 të tjerë janë në hetime për aktet e dhunshme. Gjatë protestës një djali 19 vjeç iu thye këmba, ngjarje për të cilën policia e shtetit pezulloi dhe nisi hetim për 4 efektivë policie.
 
Në spitale shkuan disa policë dhe protestues për të marrë ndihmë mjekësore, ku u vizituan edhe nga ministrja e Shëndetësisë, Klodiana Spahiu.
 
LULJETA NDOKA