Mickoski: Nuk pritet mungesë e dizelit deri në fund të vitit

15.10.2026 14:30

Pavarësisht paralajmërimeve për mungesë të mundshme të naftës dizel...

Pavarësisht paralajmërimeve për mungesë të mundshme të naftës dizel në tregjet botërore, Qeveria nuk pret probleme me furnizimin е derivateve te naftës në vend deri në fund të vitit.

Kryeministri Hristijan Mickoski thotë se këtë garanci e mbështet në informacionet e marra nga tregtarët e naftës dhe derivateve të saj. Ndërkohë, në tryezë është edhe mundësia e rifillimit të prodhimit në rafinerinë OKTA, pas rishikimit të kapaciteteve të saj dhe duke pasur parasysh se naftësjellësi drejt portit të Selanikut tashmë është vënë në funksion.

Mickoski thekson se mbrojtja e standardit të qytetarëve mbetet prioritet i Qeverisë, e cila synon të ruajë çmimet më të ulëta të karburanteve krahasuar me vendet fqinje.

“Askush në botë nuk mund të përballojë më shumë se tre muaj pa furnizim me sasi të reja, as Maqedonia. Ajo që është e rëndësishme është se kemi zhvilluar një takim me tregtarët më të mëdhenj të naftës dhe derivateve të saj, përfshirë edhe drejtuesit e OKTA-s. Kemi dhënë detyrë që të rishikohen kapacitetet dhe të rifillojë procesi i prodhimit në këtë rafineri, duke pasur parasysh se naftësjellësi tashmë është funksional, përkatësisht rafineria është e lidhur fizikisht me portin e Selanikut, ku në të ardhmen mund të transportohet nafta e papërpunuar, e cila më pas do të përpunohej në rafineri. Sa i përket informacioneve që kam marrë nga tregtarët, deri në fund të këtij viti nuk kemi asnjë arsye për t’u shqetësuar për ndonjë mungesë të mundshme të karburanteve.”, - deklaroi kryeministri, Hristijan Mickoski.

Sipas kryeministrit Mickoski, çmimet më të ulëta sjellin sfida, por Qeveria vazhdon me këtë politikë. Megjithatë, rifillimi i prodhimit në OKTA mbetet një mundësi që duhet të shqyrtohet, në funksion të sigurimit të furnizimit me derivate në periudhën e ardhshme. (Rexhep Qamili, TVM2)