Komuna e Tetovës ka vendosur katër semaforë për personat e verbër

15.10.2026 14:51

Komuna e Tetovës ka vendosur katër semaforë të rinj...

Komuna e Tetovës ka vendosur katër semaforë të rinj me sinjalizim zanor, të dedikuar për personat e verbër, me qëllim që ata të mund të kalojnë rrugën më të sigurt dhe më të pavarur. Sipas kreut të Tetovës, Bilall Kasami, ky investim shihet si një hap drejt përmirësimit të kushteve të lëvizjes për këta persona.

“Ky projekt shënon një hap të rëndësishëm drejt një shoqërie të barabartë dhe pa dallime. Semaforët janë vendosur në katër lokacione: pranë Gjykatës së Tetovës, te Shkolla e Mesme e Mjekësisë, në Bulevardin “Blagoja Toska”, pranë Spitalit të Tetovës dhe pranë Xhamisë së Larme.”, - deklaroi kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami.

Pavarësisht këtij investimi, personat e verbër thonë se presin edhe më shumë angazhim për përmirësimin e infrastrukturës në qytet. Sipas tyre, përveç semaforëve me sinjalizim zanor, nevojiten shtigje të përshtatshme dhe të rritet niveli i përgjegjësisë tek personat që parkojnë veturat vend e pa vend.

“Kohëve të fundit janë përmirësuar pak kushtet, por ka nevojë edhe më shumë. Te disa semaforë ka sinjalizim me zë, por infrastruktura duhet të përmirësohet ende. Veturat na pengojnë shumë, sepse janë të parkuara vend e pa vend. Shtigje për ne, personat e verbër, nuk ka dhe duhet të punohet pak më shumë edhe në këtë drejtim. Unë lëviz me vështirësi, por ia dal qëllimit.”, - u shpreh personi i verbër, Jetmir Selmani.

Kasami theksoi se kjo është faza e parë ku ka filluar ulja  e trotuareve dhe ndërhyrje të tjera  infrastrukturore, me synimin që personat e verbër dhe personat me aftësi të kufizuara të kenë më shumë siguri, pavarësi dhe qasje të barabartë në hapësirat publike. (Visar Sadiki, TVM2)