Rasti i Iva Mihajllovës përplas pushtetin dhe opozitën
Edhe pas disa ditëve të largimit të Iva Mihajllovës nga vendi...

Edhe pas disa ditëve të largimit të Iva Mihajllovës nga vendi, e njëjta vazhdon t’i përplasë partitë politike në vend. Kryeministri i vendit Hristijan Mickoski ka theksuar se për rastin në fjalë nga pala bullgare janë thënë shumë të pavërteta, si largimi i saj në mënyrë të rregullt nga pika kufitare, hyrja e avokatit të Mihajllovës në vend, dhe se organet kufitare maqedonase të njëjtin e kanë regjistruar se ka kryer hyrje me datë 28 shtator.
Por, ajo që është me rëndësi sipas numrit një të Qeverisë është se e njëjta është larguar në mënyrë ilegale, dhe më herët apo më vonë e njëjta do të japë përgjegjësi për këtë.
“Po ashtu mund të konfirmoj se në mënyrë ilegale e njëjta është dërguar në Bullgari, dhe mënyrën e largimit të saj shumë shpejt do ta kuptojmë. Po ashtu dua të theksoj se edhe Iva edhe prindi i saj do të japin përgjigje. Nëse dikush mendon se në këtë mënyrë mund të sigurojë strehimore, dhe t’i prishë marrëdhëniet ndërfqinjësore, ndërsa pala bullgare të tregojë muskuj politikë po gabojnë. Pala bullgare në vend që ta ekstradojë një person të dënuar, ato po krijojnë dhe e trajtojnë si yll të estradës. Nga ana tjetër, opozita jonë dhe pala bullgare janë në një vijë, dhe qëllimi është të krijojnë një temë politike. Ne i kërkojmë t’i ekstradojnë që sot atë edhe prindin e saj dhe opinionit i them se edhe ajo edhe prindi i saj një ditë do të përgjigjen.”, - deklaroi kryeministri i RMV-së, Hristijan Mickoski.
Por, LSDM-ja opozitare të gjithë pohimet e institucioneve shtetërore i quajti teatër. Sipas tyre, lirimi dhe largimi i saj kanë qenë të dakorduara.
“Skandali me lirimin e dakorduar të Iva Mihajllovës duhet të sqarohet plotësisht, me prova dhe duke përcaktuar përgjegjësinë penale dhe politike. Është e qartë për të gjithë ne se Mickoski mbron Toshkovskin dhe Toshkovski mbron bandën kriminale në pushtet. Nuk ka drejtësi. Askush nuk mbahet përgjegjës, të gjithë po ikin, prandaj kërkojmë dorëheqjen e Toshkovskit. Gjyqësori është vetëm një skenë teatri që Mickoski e kontrollon plotësisht.”, - theksoi Aleksandar Naumoski nga LSDM.
Pas kërkesës për ekstradim nga pala maqedonase, pala bullgare ka theksuar se kërkesa për ekstradim është e papranueshme, pasi sipas Kushtetutës, qytetarët bullgarë nuk ekstradohen në vende që nuk janë anëtare të Bashkimit Evropian.
MPB po heton se si Iva Mihajllova, e akuzuar për një aksident trafiku me një të vdekur dhe tre të plagosur, ka lëshuar vendin, dhe për të ka lëshuar një urdhër arrest ndërkombëtar dhe është dënuar me 30 ditë paraburgim.
Ministria e Drejtësisë, nga ana tjetër, është duke pritur një njoftim zyrtar nga Ministria e Brendshme nëse Mihajllova është arrestuar apo ndodhet në një vend tjetër, në mënyrë që të fillojë procedura e ekstradimit. Sipas mediave bullgare, mbrojtja e Mihajllovës ka përgatitur dhe paraqitur tashmë një kërkesë në gjashtë institucione nga të cilat varet rrjedha e procedurës.
Njoftohet se Mihajllova do të ngrejë edhe një padi private kundër masës së paraburgimit të urdhëruar nga gjykata e Koçanit. (Fitim Kryeziu, TVM2)
