Maqedoni

Mungojnë vaksinat kundër gripit sezonal, 30 mijë doza në dispozicion, 25 mijë të tjera në nëntor

15.10.2026 16:12

Pak vaksina kundër gripit sezonal, ndërsa interesi i qytetarëve...

Pak vaksina kundër gripit sezonal, ndërsa interesi i qytetarëve është shumë i madh. Janë në dispozicion vetëm 30.000 doza, në një kohë kur shumë qytetarë vuajnë nga sëmundje kronike ose janë mbi moshën 65-vjeçare.
 
Edhe pse ministri i Shëndetësisë deklaroi se gjatë procesit të ndarjes së vaksinave do të merret parasysh gjendja shëndetësore e qytetarëve, në ueb-faqen zyrtare vakcinacija.mk nuk ekziston një opsion i tillë që do të mundësonte vlerësimin dhe prioritizimin e personave më të rrezikuar.
 
“Mungon ende një opsion për t’u dhënë përparësi diagnozave me rrezik të lartë, pasi në kategorinë e sëmundjeve kronike aktualisht përfshihen të gjitha pa dallim. Këtu ka hapësirë për paqartësi, sepse jo çdo diagnozë kronike është me rrezikshmëri të lartë, ndaj ky segment kërkon plotësim.”, - deklaroi mjekja familjare, dr. Ankica Stanoevska. 
 
Në praktikë, përparësi do të kenë qytetarët që aplikojnë më shpejt dhe deklarojnë se vuajnë nga ndonjë sëmundje kronike. Ndërkohë, kontingjenti i radhës, prej 25.000 dozash të vaksinave kundër gripit sezonal, pritet të arrijë në mesin e nëntorit.
 
Edhe pse gratë shtatzëna kanë të drejtë të vaksinohen falas, numri i atyre që vendosin të imunizohen mbetet shumë i ulët.
 
“Gjithashtu, ende nuk është krijuar kultura e vaksinimit kundër gripit për këtë kategori, përkundër faktit se në Bashkimin Evropian dhe në ShBA asnjë grua shtatzënë nuk mund të shtrohet në maternitet pa u vaksinuar paraprakisht kundër influencës.", - theksoi mjekja familjare, dr. Ankica Stanoevska.
 
Autoritetet shëndetësore njoftuan se procesi i vaksinimit do të zhvillohet nga data 16 deri më 25 tetor, por imunizimi kundër gripit nuk do të fillojë nga nesër, sepse vaksinat ende nuk janë shpërndarë në pikat e vaksinimit.
 
Imunizimi do të fillojë javën e ardhshme. Se cila ditë do të jetë saktësisht do të informohet opinioni, kurse qytetarët që janë paraqitur përmes mesazhit SMS do të marrin njoftim ku dhe në sa ora duhet të marrin vaksinën.
 
FARIJE DAUTI BAKIU