Mbështetja financiare për krerët e UÇK-së, Kurti: Do të parashihen në Buxhetin për vitin 2027

15.10.2026 16:06

Mbështetja financiare për katër ish-krerët e UÇK-së...

Mbështetja financiare për katër ish-krerët e UÇK-së, të cilët po gjykohen në Hagë, do të përfshihet në Buxhetin e vitit 2027, ndërsa fillimisht do të hartohet strategjia shtetërore për mbështetjen juridike dhe institucionale në procedurat e apelit. Kështu ka deklaruar para deputetëve kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sipas të cilit, grupi punues i themeluar nga Qeveria do të kujdeset për hartimin dhe bashkërendimin e strategjisë shtetërore.

“Ne kemi afatin që deri më 31 tetor ta votojmë në mbledhjet e Qeverisë, Buxhetin për vitin 2027. Do ta bëjmë këtë, dhe natyrisht që aty do të përfshihen të gjitha linjat e nevojshme për secilën fushë, por edhe për çështjen e mbështetjes financiare për 4 ish-krerët e UÇK-së. Por, ta kemi parasysh që së pari duhet strategjia shtetërore, dhe më pastaj kostot; një herë vihet ideja, vizioni, mekanizmat dhe masat, e më pastaj edhe kostoja e tyre, jo kostoja para mekanizmave e vizionit.”, - deklaroi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Haradinaj: Mbrojtja e UÇK-së lidhet me sigurinë kombëtare

Mbrojtja e Ushtrisë Çlirimtare e Kosovës lidhet drejtpërdrejt me sigurinë kombëtare dhe lirinë e Kosovës, ka deklaruar Ramush Haradinaj nga Aleanca.

“Siguria jonë kombëtare buron nga vlerat e lirisë, nga UÇK-ja, e cila është e lidhur ngushtë me Amerikën dhe NATO-n. Pra, kështu kemi ardhur deri te liria. Ne, në vazhdimësi, pra jo vetëm kur rrezikohet UÇK-ja ose  themelet e lirisë, por ne në vazhdimësi duhet të jemi në mbrojtje të UÇK-së. Jo për shkak të atyre që janë gjallë sot, ose që kanë qenë dikur në udhëheqje të UÇK-së, por për shkak të vetë të sigurisë tonë kombëtare.”, - theksoi Ramush Haradinaj nga AAK.

Mbështetja për krerët e UÇK-së, përfshi krijimin e Grupit Punues për Strategji Shtetërore për Apelin, ka qenë temë edhe në takimin e parë koordinues të presidentes Justina Shiroka Pula, me kryetaren e Kuvendit, Albulena Haxhiu, kryeministrin Albin Kurti dhe ministrin e Punëve të Jashtme dhe të Diasporës, Glauk Konjufca. (Gyltene Sinani, TVM2)