Maqedoni
Kongresi i studentëve të mjekësisë, studentët, hapat e parë drejt shkencës
15.10.2026 17:03
Shkenca, inovacioni dhe shkëmbimi i përvojave ndërkombëtare kanë bashkuar studentët...

Shkenca, inovacioni dhe shkëmbimi i përvojave ndërkombëtare kanë bashkuar studentët e mjekësisë në Kongresin e Katërt Ndërkombëtar, të organizuar me iniciativën e vetë studentëve.
Përmes këtij organizimi, mjekët e ardhshëm synojnë të zgjerojnë njohuritë, të prezantojnë arritjet shkencore dhe të krijojnë mundësi të reja bashkëpunimi. Organizatorët theksuan se përfshirja e të rinjve në shkencë është investim në të ardhmen e mjekësisë.
“Jam e lumtur që ka ende studentë që investojnë në shkencë, të cilët përpiqen vërtet që ne si studentë të kemi një të nesërme më të mirë dhe të kemi një të ardhme, apo jo, në vetë mjekësinë. Pa mbështetjen e fakultetit tonë, ky kongres nuk do të ishte realizuar.”, - theksoi organizatorja e Kongresit, Nadica Tanceva.
Mbështetja e iniciativave studentore mbetet një nga prioritetet e Fakultetit të Mjekësisë. Dekani i këtij fakulteti vlerësoi angazhimin e studentëve, duke theksuar se përfshirja e tyre në kërkimin shkencor që në vitet e studimit është thelbësore për zhvillimin profesional dhe përparimin e mjekësisë.
“Si dekan i Fakultetit të Mjekësisë jam jashtëzakonisht krenar për gjithçka që bëjnë studentët. Besoni se këto hapa të tyre të parë në shkencë, hyrja në shkencë si gjëja më e rëndësishme për njerëzimin për çdo arritje, sepse vetëm ajo e çon njerëzimin përpara.”, - deklaroi dekani i Fakultetit të Mjekësisë, Svetozar Antoviq.
Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe shkëmbimit të përvojave mes studentëve. Ajo paralajmëroi se ligji i ardhshëm për arsimin e lartë do të krijojë mundësi të reja për të rinjtë që synojnë të angazhohen në kërkimin shkencor.
“Ky kongres është shumë i rëndësishëm, sepse vetëm rrjetëzimi me studentët nga vende të tjera do t'u mundësojë atyre të fitojnë njohuri të reja dhe përvoja të reja, të shkëmbejnë praktika dhe në këtë mënyrë të avancojnë.”, - u shpreh ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska.
Kongresi i Katërt Ndërkombëtar i Studentëve të Mjekësisë synon të nxisë interesimin për kërkimin shkencor dhe të forcojë bashkëpunimin mes mjekëve të ardhshëm. Organizatorët shpresojnë që kjo nismë të shërbejë si shembull për përfshirjen më të madhe të studentëve në aktivitete shkencore, brenda dhe jashtë vendit.
BELINDA KOKA ADEMI
