Maqedoni
Shoqata e të verbërve në Kërçovë shënoi Ditën Ndërkombëtare të Shkopit të Bardhë
15.10.2026 17:37
Me një solemnitet modest, Shoqata e të verbërve në Kërçovë...

Me një solemnitet modest, Shoqata e të verbërve në Kërçovë sot shënoi Ditën ndërkombëtare të Shkopit të bardhë. Me këtë rast, u tha se kjo shtresë e njerëzve ka nevojë për mbështetje më të madhe institucionale në krijimin e kushteve dhe zgjidhjen e problemeve me të cilat ballafaqohen të verbrit dhe personat me shikim të dobësuar.
Në referatin kushtuar Ditës Ndërkombëtare të Shkopit të Bardhë që e prezantoi Vjosa Abazi, u potencua se 15 Tetori është simbol i kësaj kategorie të njerëzve që jep mesazhin për një përkujdesje më të madhe institucionale dhe shoqërore në përmirësimin e kushteve dhe zgjidhjen e problemeve me të cilat po ballafaqohet kjo shoqatë.
Sivjet, kjo ditë shënohet nën moton “Së bashku në përditshmëri”. Personat e verbër dhe ato me shikim të dobësuar, tha ajo, nuk kërkojnë të drejta të veçanta por vetëm ndihmën elementare që ato të ndjehen si pjesë e respektuar e shoqërisë civile.
Ndërkaq kryetari i shoqatës Zenel Zylbehari, pasi i falënderoi të gjithë ata që e kanë mbështetur këtë shoqatë ndër vite, foli edhe për kushtet në të cilat vepron kjo shoqatë.
Ai kërkoi nga administrata lokale dhe pushteti qendror mbështetje maksimale për funksionim efikas të kësaj shoqate që numëron gjithsej 170 anëtarë dhe krijimin e kushteve për të verbrit, sepse përkujdesja ndaj tyre do të ndikonte në integrimin e kësaj kategorie si pjesë e barabartë e shoqërisë civile.
SHABAN DALIPI
