Botë

Ukraina nën sulme, Zelensky kërkon garanci sigurie nga Evropa

15.10.2026 18:01

Rusia ka intensifikuar sulmet masive ndaj Ukrainës...

Rusia ka intensifikuar sulmet masive ndaj Ukrainës, duke goditur infrastrukturën energjetike dhe zonat e banuara, me pasoja të rënda për popullsinë civile. OKB-ja konfirmoi se në shënjestër të sulmeve ruse ishin edhe tri centralet kryesore të ngrohjes dhe energjisë elektrike në kryeqytetin Kiev, duke lënë qindra mijëra banorë pa energji elektrike dhe ujë. 
 
“Të tria centralet kryesore të ngrohjes dhe energjisë elektrike në kryeqytet u sulmuan, duke lënë 600 mijë njerëz pa energji elektrike dhe ujë.”, - deklaroi zëvendëszëdhënësi i sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, Farhan Haq.
 
Ndërsa shtohen viktimat nga sulmet ruse, Zelensky paralajmëroi se kufizimet e Starlink-ut po pengojnë ushtrinë ukrainase dhe shprehu pakënaqësi ndaj qëndrimit të Trump-it ndaj Moskës. Megjithatë, ai ritheksoi gatishmërinë e Kievit për armëpushim.
 
“Çdo dialog është më i mirë se sulmet. Po përballemi me sulme masive, që duken si vazhdim i përshkallëzimit nga pala ruse. Kemi pasur edhe vështirësi në marrëdhëniet tona, veçanërisht lidhur me Starlink-un dhe informacionet e inteligjencës. Kur ke një partneritet të vërtetë, nuk mund të mbështetesh në surpriza të tilla. Megjithatë, ne ende llogarisim te partneriteti me ShBA-në.”, - theksoi presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky.
 
Trump-i mohoi se Shtetet e Bashkuara e kanë ndërprerë bashkëpunimin e inteligjencës me Ukrainën. Ndërkaq, Kremlini akuzoi Zelensky-in se nuk dëshiron paqe.
 
“Regjimi ukrainas me seli në Kiev vazhdon të kryejë sulme ndaj këtyre objekteve, duke hyrë kështu në një kundërshtim të thellë me përpjekjet paqësore të Shteteve të Bashkuara.”, - u shpreh zëdhënësi i Kremlinit, Dmitri Peskov. 
 
Tensionet mes Uashingtonit dhe Kievit po ndikojnë edhe në marrëdhëniet me aleatët evropianë, ndërsa marrëveshja amerikano-ruse për naftën dizel vjen në kohën kur Evropa synon të kufizojë financimin e luftës ruse.
 
“Duhet ta bëjmë presionin ndaj Rusisë, jo ndaj Ukrainës, që të dorëzohet dhe t’i japë fund luftës. Të hënën miratuam sërish 1.600 masa sanksionuese dhe po punojmë për paketën e 22-të. Kjo është mënyra për të ushtruar presion ndaj Rusisë.”, - deklaroi përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikën e Jashtme, Kaja Kallas. 
 
Konflikti po ndihet edhe në Detin e Zi. Një tjetër anije u godit, këtë herë në ujërat e Rumanisë, pasi Bullgaria kishte regjistruar dy incidente të ngjashme me dronë.
 
“Nuk besojmë se Ukraina do të sulmonte anijet e veta dhe anijet e pasagjerëve. Kjo nuk ka asnjë kuptim. Pasojat e këtij sulmi i shkojnë në favor Rusisë.”, - theksoi presidenti i Bullgarisë, Rumen Radev. 
 
Zelensky pritet që nesër, në Bruksel, të kërkojë garanci konkrete për sigurinë e Ukrainës dhe përshpejtimin e furnizimit me sisteme kundërajrore, në një kohë kur sulmet ruse vazhdojnë dhe përpjekjet diplomatike për armëpushim mbeten të pasigurta.
    
SARA KAJOLLI