Drejtoria për Mbrojtjen e të Dhënave personale: Deri tani asnjë ankesë për përgjimet
Rritet numri i qytetarëve që kërkojnë ndihmë për shkak të keqpërdorimit të të dhënave të tyre personale...

Nga Drejtoria për Mbrojtjen e të Dhënave Personale njoftojnë se kohët e fundit mbi 10000 qytetarë kanë paraqitur ankesa. Por, gjithsesi, asnjë nga këto ankesa nuk ka të bëjë me përgjimet e fundit të publikuara nga opozita e që ka të bëjë me keqpërdorimet eventuale të të dhënave personale.
“Deri më tani, në Drejtorinë për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, bazuar në të ashtuquajturat “bomba”, apo nga bisedat e përgjuara që publikon opozita, nuk ka arritur asnjë kërkesë nga ndonjë qytetarë si person fizik për të vepruar sipas kompetencave ligjore. Mirëpo kini parasysh se nëse marrim ndonjë kërkesë të tillë, atëherë Drejtoria vepron sipas kompetencave ligjore, që do të thotë se njëjta duhet të presë rezultat nga hetimi për veprën penale që po bën Prokuroria Publike, sepse Kodi Penal në Maqedoni ka përparësi mbi Ligjin për procedurë të përgjithshme administrative, në bazë të të cilit punon Drejtoria. Nëse marrim një kërkesë të tillë, Drejtoria në suaza të kompetencave të veta do t’i realizojë të gjitha aktivitetet që janë obligim i ynë”- deklaroi drejtori i Drejtorisë për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, Dimitar Gjerogjievski.
Ligji për mbrojtjen e të dhënave personale është miratuar në vitin 2005, me çka për herë të parë Maqedonia edhe ligjërisht e rregulloi këtë çështje. Megjithatë, edhe neni 18 i Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë garanton të drejtën e mbrojtjes së të dhënave personale, megjithatë Ligji më konkretisht definon obligimet e firmave, kompanive, institucioneve në lidhje me privatësinë e të dhënave personale, e në të njëjtën kohë edhe të drejtat e qytetarëve të cilëve mund t’u keqpërdoren të dhënat personale. (Rejhane Bushi-Metaj, TVM2)
